Lagja e Selvive është kthyer në identiteti, pasi janë mbjellë 150 drurë dekorativë të tipit të të njëjtit emër, selvi.
“Janë 150 selvi që sot “qëndisin” lagjen e Selvisë, por që përveç emrit nuk kishte asnjë shenjë të selvive. Tani është detyra e banorëve të lagjes, që t’i mbrojnë e të kujdesen për to. Jam shumë i lumtur që nisma për këtë revolucion të gjelbër në Tiranë ka shkuar nga zonat kryesisht pyjore, parqe, nga Unaza dhe Pylli Orbital, deri nëpër lagje. Ky është një lajm fantastik, se po “qëndisim” me gjelbërim të gjitha lagjet e rrugicat e Tiranës”, tha kryebashkiaku Erion Veliaj.
Për çdo datë të shënuar, në të gjithë kryeqytetin do të organizohen aksione për mbjelljen e fidanëve të rinj, të cilët do të shtojnë sipërfaqet e gjelbra në kryeqytet, ndërkohë që Tirana përgatitet që deri më 21 mars të jetë gati për thyer rekordin e mbjelljes së 100 mijë pemëve të reja.
“Do të vijojmë gjatë gjithë kësaj jave, edhe për kremtimin e Vitit të Skënderbeut. Kemi trashëgim që nga koha e Skënderbeut, rreth 550 vite më parë, mbjelljen e ullinjve për çdo sebep e martesë, për çdo çift të ri në shenjë të harmonisë e paqes. Do vazhdojmë në 14 shkurt për të mbjellë një pemë, në emër të dashurisë të atyre që janë bashkë në Tiranë. Pastaj, në datat 7-8 mars, për Ditën e Mësuesit dhe të Nënës, si një mënyrë për t’u kujtuar atyre me një pemë, një kontribut në qytetin tonë. Do të përfundojmë në 21 mars, me Ditën ndërkombëtare të Pyjeve, ku besoj se do thyejmë rekordin tonë të 100 mijë pemëve në të gjithë Tiranën”, nënvizoi Veliaj.
Krahas përmirësimit të infrastrukturës në rrugët e reja dhe në ato ekzistuese, Bashkia e Tiranës po i kushton një vëmendje të veçantë edhe krijimit të gjelbërimit të përhershëm. Synimi i Bashkisë është që deri më 2030-n kryeqytetit t’i shtohen 2 milionë pemë, duke e rrethuar atë me një kurorë të gjelbër, që do të përmirësojë ndjeshëm edhe cilësinë e ajrit dhe do të krijojë hapësira çlodhëse për qytetarët.
Top Channel