Roger Federer dhe Novak Djokoviç nuk gabojnë në ndeshjet e tyre të para në turneun “Australian Open”.
Tenisti zviceran, numri dy i renditjes botërore u kualifikua në raundin e dytë, pasi fitoi me lehtësi kundrejt Aljaž Bedene me rezultatin 3-0. Federer i mbylli shumë shpejt setet, të cilët i fitoi me rezultatin 6-3, 6-4 dhe 6-3.
Po me kaq shumë lehtësi fitoi edhe Novak Djokoviç në përballjen e tij me Donald Young. Tenisti serb, i cili u rikthye në fushat e lojës pas një kohe të gjatë për shkak të një dëmtimi në bërryl, mundi amerikanin Donald Young në raundin e parë 3-0, me sete 6-1, 6-2 dhe 6-4.
Në kampin e femrave, Maria Sharapova eliminoi në raundin e parë gjermanen Tatjana Maria, me rezultatin 2-0. Tenistja ruse ishte dominuese në fushën e lojës duke i fituar setet 6-1 dhe 6-4, në vetëm 1 orë e 18 minuta lojë.
Edhe më e lehtë ishte sfida për Angelique Kerber, e cila fitoi derbin gjerman me Friedsam 2-0. Seti i parë ishte një formalitet për Kerber, që e mbylli 6-0, ndërsa të dytin e fitoi 6-4, duke e mbyllur sfidën pas 66 minutave lojë.
U kualifikua për në raundin e dytë edhe numri një i botës, Simona Halep, që fitoi ndaj australianes Aiava 2-0.
Top Channel