Trump reagon pas ofendimit të emigrantëve: Nuk jam racist

15/01/2018 10:33

Presidenti amerikan u përpoq të mbrohej nga vala e akuzave të ditëve të fundit, lidhur me komentet fyese ndaj vendeve afrikane, duke deklaruar me të madhe se nuk është racist.

“Unë mund të jem njeriu më pak racist që keni intervistuar ndonjëherë”, u tha Donald Trump gazetarëve, në atë që përbën reagimin e tij të parë, menjëherë pas incidentit që ngjalli debate në mbarë botën.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë u gjend sërish në ujëra të rrezikshme, pasi përdori një fjalor ofendues për kombet e varfra gjatë një takimi mbi reformën e emigracionit.

Udhëheqës botërorë dhe qytetarë reaguan me shpejtësi, duke dënuar me vendosmëri komentet e tij. Fjalët e tij ngjallën zemërim në Haiti, në Salvador, në kontinentin afrikan, por indinjatë pati edhe në përgjithësi nga komuniteti ndërkombëtar.

Trump ishte duke diskutuar me ligjvënësit, kur biseda u ashpërsua pasi ai dukej i pakënaqur me marrëveshjen dypalëshe të emigracionit.

Edhe pas rrebeshit të kritikave, presideni u përpoq ta zbuste situatën duke mohuar në “Twitter” të ketë përdorur të tilla fjalë fyese. Ekzistojnë pretendime të shumta për të kundërtën.

“Kjo nuk ka të bëjë thjesht me gjuhën vulgare që u perdor, – shprehet Rupert Colville, zëdhënës i Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. – Por edhe me faktin se i hap derën anës më të keqe të njerëzimit, që i jep peshë dhe inkurajon racizmin e ksenofobinë, duke rrezikuar jetët e shumë njerëzve”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA