Deputeti i Partisë Demokartike dhe njëkohesisht kryetari i Departamentit të Sigurisë në këtë parti, Enkelejd Alibeaj ka dorëzuar paraditen e së hënës në Prokurorinë e Krimeve të Rënda një provë të re, që sipas tij vërteton bashkëpunimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri me bandën e Habilajve.
Bëhet fjalë për një policë sigurimi të mjetit tip Audi me targa AA 003 BG, ku për periudhën prill 2015-prill 2016, ka të shënuar si përdorues dy emra.
“Polica e sigurimit ka të shënuar dy emra si përdorues të mjetit, Artan Habilajn dhe Saimir Tahirin, që tregon mbi të gjitha faktin e bashkëpunimit dhe bashkëpërdorimit të kësaj makine, e cila është përdorur si imunitet për trafikimin e lëndëve narkotike brenda dhe jashtë vendit”, deklaroi Alibeaj.
Madje, sipas deputetit demokrat, kjo policë tregon edhe makthin që ka mbërthyer Kryeministrin Edi Rama për të penguar hetimet. Alibeaj nga oborri i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka kërkuar edhe arrestimin e Tahirit.
“Tregon makthin që ka mbërthyer Kryeministrin Edi Rama, që po përpiqet te pengojë dhe pushojë hetimet. Për këtë arsye jam këtu sot që t’u bëj thirrje organeve të drejtësisë ta verifikojnë këtë dokument dhe pse jo një orë e më parë të kërkojnë heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Saimir Tahirit”, vijoi Alibeaj.
Top Channel