Robotë të llojeve të ndryshme nga e gjithë bota u prezantuan në Panairin e Elektronikës në Las Vegas.
Dritat e prozhektorëve këtë vit janë kthyer nga robotët humanoidë, që mund të shërbejnë si shoqërues të njeriut. Ata bashkëveprojnë me njerëzit, e disa madje edhe flasin dhe mund të shprehin ndjenja njerëzore.
Robotë të tjerë mund të shërbejnë si kafshë shtëpiake, e ndonjë – thotë VOA, – plotëson edhe fjalëkryqe.
Të tillë robotë arrijnë të bëjnë të njëjtat gjëra që bëjnë telefonat inteligjentë, e madhe edhe më shumë. Shumica e këtyre robotëve janë të pajisur me kamera, që veprojnë si sytë e njeriut.
Disa kompani do të kenë në dispozicion robotët socialë për konsumatorët këtë vit dhe prodhuesit e robotit “Buddy” thonë se, viti 2018 është viti kur njerëzit do të jenë gati të pranojnë robotët socialë në shtëpitë e tyre.
Çmimet e robotëve janë të ndryshëm. “Buddy” për shembull kushton rreth 1.500 dollarë.
“Nëse shpenzoni 1.000 dollarë për një ‘iPhone’, mund të shpenzoni po kaq për një robot të vogël si ky”, thotë një konsumator, Shane Hoalst.
Ekspertët mendojnë se, ashtu si qeni apo macja, robotët socialë mund të bëhen pjesë e shumë familjeve në një të ardhme jo edhe aq të largët.
Top Channel