E gjendur në mesin e përpjekjeve për krijimin e qeverisë së re, e për t’i dhënë fund ngërçit politik që ka pllakosur vendin pas zgjedhjeve të shtatorit, Angela Merkel pritej gjerësisht ta anashkalonte grumbullimin vjetor të udhëheqësve globalë në Davos të Zvicrës.
Por arritja e një marrëveshjeje paraprake koalicioni me socialdemokratët mund ta bëjë Kancelaren gjermane që të ndryshojë planet, e të udhëtojë drejt Alpeve zvicerane, ku t’i dalë në krah presidentit francez për atë që “EuReporter” e përshkruan si një “përplasje epike” me Donald Trump.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë pritet të marrë fjalën në ditët e fundit të forumit. Shfaqja e Merkelit do të sinjalizonte rikthimin e saj në skenën botërore, pas muajsh të tërë boshllëku qeverisës të Gjermanisë, kohë përgjatë së cilës Kancelarja është përpjekur të qëndrojë larg qendrës së vëmendjes, e disa media gjermane e ndërkombëtare nxituan të përfitojnë nga situata për të dalë në përfundimin se forca e “gruas së hekurt” të Europës po venitej.
Kjo lëvizje do t’i lejojë gjithashtu, që bashkë me Macronin, duke përforcuar edhe njëherë të famshmin aks franko-gjerman, të rikonfirmojnë angazhimin e tyre ndaj reformimit të Bashkimit Europian pas largimit të Britanisë e për të mbrojtur vlerat liberale demokratike përballë politikës së Trumpit, “Amerika e para”.
Aktualisht nuk ka ende asnjë marrëveshje përfundimtare lidhur me marrëveshjen e koalicionit qeverisës, pasi po pritet rezultati i Kongresit të SPD-së në Bonn, të dielën e ardhshme. Konservatorët e Merkelit kanë përjashtuar mundësinë e ndryshimeve në ujdinë paraprake, që sipas raporteve në shtypin vendas, favorizonte më shumë Kancelaren dhe linjën e ndjekur prej saj.
Top Channel