Prej fillimit të vitit Tunizia u përfshi nga protesta popullore për shkak të planeve të qeverisë për rritjen e taksave dhe të çmimeve. 800 persona janë arrestuar dhe pavarësisht vendimit të qeverisë sot për të ndërmarrë reforma, opozita tuniziane thotë se protestat do të vazhdojnë.
Pas protestave disa ditore kundër masave anti-krizë që shpërthyen në prag të 7 vjetorit të rrëzimit nga pushteti të presidentit Ben Ali, qeveria tuniziane njoftoi një sërë reformash sociale.
Njoftimi erdhi pas bisedimeve 2 orëshe per krizën në pallatin presidencial, ku u përfshinë presidenti Beji Caid Essebsi, parti politike dhe sindikata tregtare.
Autoritetet bënë me dije se reformat në shëndetësi, strehim dhe rritja e ndihmave për të varfrit do të prekin rreth 250 mijë familje të shtresës së ulët e të mesme.
Trazirat shpërthyen në 7 janar pasi qeveria njoftoi taksën e vitit të ri dhe rritje të çmimeve në buxhetin e vitit 2018-të. Manifestimet u zhvilluan në 10 zona të ndryshme përfshirë kryeqytetin Tuniz.
Ato nisen paqësisht, por më pas degjeneruan në përleshje mes protestueseve dhe policisë, duke rezultuar në mbi 800 arrestuar.
Qeveria akuzoi demonstruesit për zjarrvënie dhe sulm ndaj zyrtarëve. Disa qytetare u përpoqën t’i vinin zjarrin qendrave tregtare e dyqaneve ndërsa të tjerë bllokuan rrugët. Në qytezën e Thala-s pranë kufirit me Algjerinë ushtria u mobilizua të mërkurën pasi manifestuesit dogjën zyrat e sigurisë kombëtare dhe policia u detyrua të tërhiqej.
Ushtaret po mbrojnë tani bankat, zyrat postare e godina të tjera publike në qytetet kryesore tuniziane.
Top Channel