Telashe të reja për Milanin, prokuroria heton shitjen e klubit

13/01/2018 12:46

Milani zhytet gjithnjë e më shumë në telashe. Prokuroria e Milanos ka hapur hetime për procesin e shitjes së klubit kuqezi tek sipërmarrësi kinez Yonghong Li, lajm që u publikua fillimisht nga “La Stampa”, duke gjetur jehonë edhe në agjencinë italiane të lajmeve ANSA.

Mësohet se Prokuroria e Milanos gjatë hetimeve ka konstatuar se shitja e Milanit u bë për një shifër prej 300 milionë eurosh më të lartë sesa vlera reale e klubit. Vlen të kujtohet se shifra e shitjes së klubit kuqezi ishte 720 milionë euro, që do të thotë se vlera reale e tii ishte 420 milionë euro. Nga ky moment nisën një sërë verifikimesh për të përcaktuar flukset financiare dhe sipas “La Stampa”, pati verifikime në lidhje edhe me riciklimin e parave.

Hetimi për shitjen e Milanit po drejtohet nga prokurori Fabio De Pasquale, i njëjti prokuror që në të kaluarën hetoi edhe vetë Silvio Berlusconin për mashtrim fiskal me të drejtat televizive, ndërkohë që e mbrojti për çështjen e Vivendit te Mediaset.

“La Stampa” thekson gjithashtu se zërat për parregullsi në shitjen e klubit po qarkullonin prej kohësh. Verën e kaluar, avokati Niccolo Ghedini dorëzoi në prokurori disa dokumenta për të vërtetuar rregullsinë e derdhjes së parave nga sipërmarrësit kinezë. Por, nga hetimet që kanë filluar prej javësh, janë shfaqur dokumenta të reja që tregojnë pikërisht të kundërtën dhe mendohet se gjithçka ka lindur pasi është zbuluar shifra reale e fluksit të parave të transferuara nga Hong Kongu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA