Gjermani, akord për një sërë çështjesh në bashkëqeverisje

13/01/2018 14:05

Qeveria e re gjermane do të duket shumë si ajo e vjetra, të paktën këtë ka në plan Angela Merkel. Tri partitë e koalicionit të fundit të madh, ajo kristiandemokrate CDU, simotra e saj Unioni Kristian Social, CSU, si dhe socialdemokratët prekën rezultate të ulëta historike në zgjedhjet federale të shtatorit.

Por, ndonëse kishin deklaruar ndryshe, partnerët e hershëm, të gjendur edhe nën presidentin e kreut të shtetit, vendosën të bashkojnë forcat edhe një tjetër herë.

Shqetësimi më i madh i momentit tani është se, nëse SPD-ja zgjedh përfundimisht të hyjë në qeveri, roli i partisë më të madhe të opozitës do t’i mbetet Alternativës për Gjermanine. AfD-ja e ekstremit të djathtë do të ketë kështu mundësi të drejtojë një sërë komisionesh parlamentare e të përfitojë fonde publike apo mekanizma të tjerë, përmes të cilëve të promovojë axhendën e saj politike kundër Islamit dhe emigrantëve.

Marrëveshja 28-faqëshe e koalicionit, ndërkohë, tregon se është gjetur kompromisi mbi një sërë çështjesh, megjithatë ekspertët e përshkruajnë atë më shumë si fitore të Merkelit, duke qenë se Schulz është detyruar të zbrapset në një sërë çështjesh.

Kështu është rënë dakord që numri maksimal i azilkërkuesve në vit të jetë 220 mijë, ndërsa deri në 1.000 familjarë refugjatësh do të lejohen të shkojnë në Gjermani çdo muaj. SPD-ja pretendonte edhe një rritje taksash nga 42 në 45% për personat me të ardhura më të larta, por për këtë nuk u ra dakord.

Ajo dështoi gjithashtu në përpjekjet për të krijuar një sistem sigurimesh për qytetarët, i cili të garantonte standardet bazike të kujdesit shëndetësor, si për pacientët e spitaleve shtetërore, ashtu dhe për ata të klinikave private.

Socialdemokratët shënuan një triumf të vogël me ndalimin e përdorimit të pesticidit të shumëdiskutuar “glifosat”, i cili konsiderohet përgjegjës për zhdukjen e popullatave të tëra të insekteve anembanë Europës këto vitet e fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA