Trump konfirmon për herë të fundit marrëveshjen me Iranin

12/01/2018 21:34

Presidenti amerikan Donald Trump do t’i japë edhe një herë “dritën jeshile” marrëveshjes bërthamore me Iranin, por kjo do të jetë hera e fundit.

Siç njoftoi Shtëpia e Bardhë, nëse marrëveshja nuk do të ndryshojë, Amerika do ta braktisë. I pari i Uashingtonit do të firmosë një dokument, që konfirmon pezullimin e sanksioneve kundër Iranit edhe për 120 ditë të tjera.

Shtëpia e Bardhë kërkon rakordimin me nënshkruesit europianë të marrëveshjes me Iranin, për t’i bërë të përhershme kufizimet mbi pasurimin e uraniumit. Sipas ujdisë aktuale, ato pritet të skadojnë në vitin 2025.

Trump kërkon gjithashtu që të adresohet programi balistik i Iranit.

“Kjo është mundësia e fundit. Në mungesë të një marrëveshjeje të tillë me BE-në, Shtetet e Bashkuara nuk do t’i pezullojnë më saksionet kundër Iranit në mënyrë që t’i përmbahen marrëveshjes”, bëri të ditur kreu i Shtëpisë së Bardhë në deklaratë.

Ai paralajmëroi gjithashtu se do të tërhiqet në mënyrë të menjëhershme prej saj, nëse në një moment të caktuar do ta gjykojë të arsyeshme. Marrëveshja e cilësuar historike u firmos mes 6 fuqive globale dhe Iranit në vitin 2015.

Ajo parashikon reduktimin e aktivitetit bërthamor të shtetit me shumicë myslimane, në këmbim të pezullimit të sanksioneve të komunitetit ndërkombëtar. Por Trump e kritikon ashpër marrëveshjen e kërkuar nga Obama, që sipas tij është më e keqja që kanë nënshkruar ndonjëherë Shtetet e Bashkuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA