Probleme teknike, pezullohet teknologjia e vijës fatale në Francë

12/01/2018 21:26

Liga franceze e Futbollit (LFP) ka vendosur të pezullojë përdorimin e teknologjisë së vijës fatale. Njoftimi vjen drejtpërdrejt nga organizmi kryesor futbollistik i vendit transalpin, zgjedhje që vjen si pasojë e dy gabimeve të jashtëzakonshme që janë verifikuar gjatë ndeshjeve të Kupës së Ligës.

Pajisja e prodhuar dhe menaxhuar nga shoqëria “Goal Control” kishte pësuar defekte teknike, e për këtë arsye LFP-ja zgjodhi në këtë mënyrë.

“Kur zbulohet një problem, sigurisht që duhet zgjidhur”, tha Didier Quillot, drejtori i përgjithshëm i LFP-së. “Deri tani janë verifikuar dy keqfunksionime të rënda, – nënvizoi më tej ai. – Në takimin Amiens-PSG, teknologjia e vijës fatale nuk ka transmetuar asnjë sinjal tek arbitri, ndërsa ishte VAR-i, ai që kishte konfirmuar se topi kishte hyrë. Ndërsa në takimin Angers-Montpellier, teknologjia në portë bëri që të dridhej gabimisht ora e drejtuesit të sfidës”.

“Këto janë dy anomali të papranueshme, si dhe prova që versioni aktual nuk është më i besueshëm nga aspekti teknologjik”.

Përdorimi i teknologjisë së vijës fatale është pezulluar në të gjitha kompeticionet e organizuara nga LFP-ja. Komisioni do të rimblidhet javën e ardhshme për të vendosur sesi do të vazhdohet më tej.

“Nëse rezulton se problemet nuk zgjidhen, atëherë do të provojmë të anulojmë kontratën me ‘Goal Control’ dhe t’u drejtohemi furnitorëve të tjerë”, lexohet më tej në deklaratën e Ligës franceze të Futbollit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA