Donald Trump anuloi vizitën në Mbretërinë e bashkuar, të planifikuar në shkurt, mbase duke i dhënë një ndihmë jo të vogël qeverisë së Thersa May, e përballur me mjaft kundërshtime për këtë nga publiku i gjerë. Sidoqoftë, arsyeja zyrtare e anulimit të vizitës, si zakonisht e publikuar nga presidenti në “Twitter”, nuk kishte të bënte aspak me faktin që britanikët nuk e duan Trumpin atje.
Një nga qëllimet e vizitës në Britani ishte inaugurimi i ambasadës së re amerikane në Londër dhe pritej që Trump të priste shiritin e ndërtesës prej 1 miliard dollarësh.
Por presidenti amerikan prej kohësh e ka cilësuar ambasadën e re, të porositur nga paraardhësi i tij Barack Obama si një pazar të keq. Në komentin e tij në “Tëitter” Trump thotë se ambasada e vjetër u shit lirë, e reja është në vendin e gabuar dhe ai nuk do të shkojë të presë shiritin.
Londra nuk komentoi anulimin e vizitës, ndërsa mediat thonë se ajo po negociohet për në fund të vitit. Minimalisht qeveria britanike ka lëshuar një psherëtimë lehtësimi nga anulimi i vizitës, pas raporteve për protesta masive që priteshin në një rast të tillë.
Mediat amerikane mendojnë se pikërisht protestat e pritshme janë arsyeja e anulimit të vizitës, megjithëse zyrtarisht këtë nuk e pranon askush.
Top Channel