Rally Dakar, fiton Barreda; tërhiqet Loeb

11/01/2018 13:19

Joan Barreda rihyn në lojë për fitoren e Rally Dakar në kategorinë e motorëve.

Piloti spanjoll fitoi etapën e pestë, që është edhe më e gjata e këtij edicioni (660 km), me kohën 3 orë, 19 minuta e 42 sekonda, duke shënuar edhe fitoren e tij të dytë në kompeticion. Në vendin e dytë u rendit austriaku Matthias Walkner me 10 minuta e 26 sekonda më shumë, ndërsa vendi i tretë ishte për argjentinasin Kevin Benavides, me 12 minuta e 20 sekonda më shumë se Barreda. Me këtë fitore dhe duke përfituar nga tërheqja e Sam Sunderland, Barreda tashmë e sheh veten në vendin e katërt në renditjen e përgjithshme, me 7 minuta e 33 sekonda më shumë sesa kryesuesi Van Beveren, ndërkohë që pas tij, në vendin e dytë dhe të tretë janë Kevin Benavides dhe Matthias Walkner.

Në kategorinë e makinave regjistrohet një tjetër tërheqje, ajo e Sebastian Loeb. Piloti francez u bë protagonist i një aksidenti të pësuar në kilometrat e para të etapës speciale, duke ia bërë të pamundur vazhdimin e garës bashkë-pilotit të tij Daniel Elena.

Përsa i përket etapës së pestë, ajo u fitua nga Stephane Peterhansel me Peugeot, me kohën 2 orë, 51 minuta e 19 sekonda, që la pas holandenzin Bernhard Ten Brinke me 4 minuta e 52 sekonda më shumë, ndërsa i treti u pozicionua Giniel De Villiers.

Me suksesin në këtë etapë, Peterhansel konsolidon pozitat e tij në krye të renditjes së përgjithshme, i ndjekur nga Carlos Sainz në vendin e dytë dhe Bernhard Ten Brinke në të tretin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA