Për Valentino Rossin janë shfaqur sërish probleme ligjore. Piloti nga Tavullia do të duhet t’u përgjigjet akuzave të ish-kujdestarëve të vilës së tij, të cilët kanë kërkuar një dëmshpërblim nga 9 herë kampioni i botës në MotoGP, pasi i pushoi nga puna.
Sipas medies italiane, çifti moldav – që kishte detyrën të kujdesej për banesën e Rossit – u pushuan nga puna në prag të festës së Krishtlindjes së vitit 2016, e tani kërkoi një dëmshpërblim për një periudhë 6-mujore dhe orët shtesë të papaguara për 5 vite, që në total kapin vlerën e 114 mijë eurove.
E gjithë kjo histori nisi me shitjen e vilës së Rossit dhe shkrirjes së shoqërisë “Domus Mea”, që kishte në zotërim pronën. Viktor Untu dhe Jigan Zinaida, që në atë kohë ishin kujdestarët e vilës, iu drejtuan një avokati për të çuar Valentino Rossin dhe babain e tij Graziano në gjyq, duke kërkuar pikërisht këtë dëmshpërblim prej 114 mijë eurosh, kërkesë të cilën përfaqësuesit ligjorë të pilotit të Yamahës e konsideruan të pajustifikueshme.
Sipas tyre, dy kujdestarët e vilës nuk i kanë bërë orët shtesë të punës së tyre, për arsyen e thjeshtë se Valentino Rossi nuk ua kishte kërkuar. Gjithsesi, seanca e parë ligjore do të mbahet më 12 janar, ku gjykatës do të jetë Maurizio Paganelli.
Top Channel