Puigdemont, president i Katalonjës në ekzil?

10/01/2018 17:44

Dy partitë më të mëdha pro pavarësisë në Katalonjë bënë një marrëveshje, që mund të risjellë në postin e presidentit të rajonit Carles Puigdemont, tri muaj pasi ai ia mbathi në Belgjikë.

Puigdemont u shkarkua nga qeveria qendrore spanjolle, për rolin e tij në organizimin e referendumit të jashtëligjshëm dhe shpalljen e pavarësisë që pasoi, por që nuk u njoh nga askush.

Partia e Puigdemontit, “Bashkë për Katalonjën”, dhe ish-partneri i koalicionit, partia “ERC”, pas marrëveshjes që u arrit të martën vonë do të formojnë shumicën në bordin parlamentar kur të mblidhet Asambleja rajonale javën e ardhshme.

Blloku separatist fitoi shumicën në zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit, të organizuara nga qeveria spanjolle, me këtë të fundit që nuk arriti dot ndryshimin që donte.

Mediet spanjolle shkruajnë se, një zëdhënës i udhëheqësit të shkarkuar lajmëroi se, sipas paktit të ri, dy partitë do të vazhdojnë punën e tyre në këtë mandat të ri parlamentar me Puigdemontin si president.

Me këtë vendim, që ende duhet të bëhet realitet, situata në Katalonjë dhe Spanjë është kthyer sërish në fillim dhe duket se përballja me Madridin do të rinisë. Sidoqoftë nuk është e qartë sesi do ta ushtrojë funksionin e tij presidencial Puigdemont, po u zgjodh nga Parlamenti rajonal, pasi nëse kthehet në Spanjë përballet me arrestimin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA