Ministria e Arsimit ishte duke menduar t’i ndante tekstet përgjysmë për ta bërë më të lehtë çantën në kurrizin e fëmijëve. Por një grup mësuesish, prindërish, nxënësish dhe psikologësh propozuan më shumë se një zgjidhje teknike: reduktimin e lëndëve nga gjashtë në tre në ditë.
Por, duke reduktuar numrin e lëndëve në ditë, do të zgjaten orët e mësimit. Që prej 1 shkurtit mësimi për çdo lëndë nuk do të zgjasë më 45 minuta, por 90 minuta.
Zbatimi i kësaj platforme në sistemin parauniversitar synon më pak ngarkesë tek nxënësit, mësuesit dhe prindërit.
“Do të kishim kohën që të zhvillonim eksperimente, projekte apo detyra klase dhe të bashkëpunonim me njëri-tjetrin dhe mësuesit të shihnin sesa të përgatitur jemi ne në klasë”, thotë nxënësja Julia Sulstarova.
“Kjo ngarkesë më e pakët do të bëjë që përqendrimi i nxënësit në vetëm 3 lëndë të jetë më produktiv në aspektin e të nxënit”, shprehet psikologia Olta Jaçellari.
Duke e vlerësuar si arritje të platformës së bashkëqeverisjes me qytetarët, Kryeministri Rama e paraqiti këtë si një prej atyre rasteve kur njerëzit e zakonshëm ecin më shpejt se zyrtarët e shtetit për të gjetur zgjidhje.
“Zgjidhje që nganjëherë janë si veza e Kolombit, por që grupe të tëra ekspertësh nuk arrijnë dot t’i gjejnë me këtë efikasitet që vjen dhe nga halli, siç e tha vetë zonja që e ka propozuar se ne këtu na solli halli, sepse kemi gjithmonë stresin që a do e përballojë, apo nuk do e përballojë fëmija, të gjithë atë ngarkesë për ditën e nesërme”, u shpreh ai.
Kjo u quajt si nisma e parë e ndërveprimit me njerëzit e zakonshëm. Rama tha se e mira e platformës së bashkëqeverisjes me qytetarët është se shmang filtrat e burokracisë.
Top Channel