Rally, rishfaqen Al Attiyah e Sunderland në etapën e tretë

09/01/2018 13:29

Pas sukseseve në etapën e parë, Sam Sunderland dhe Nasser Al Attiyah rikthehen te fitorja në Rally Dakar.

Në kategorinë e motorëve, piloti britanik i Red Bull Ktm arriti të fitojë etapën e tretë pas një lufte të fortë sportive me kohën 3 orë 20 minuta e 43 sekonda.

Në vendin e dytë u pozicionua argjentinasi Benavides me 3 minuta e 3 sekonda më shumë se Sunderland, ndërsa vendi i tretë i takoi australianit Toby Price i ndjekur nga amerikani Brabec në të katërtin e Quintanilla në të pestin. Barreda gaboi rëndë me navigacionit duke e mbyllur etapën me më shumë se 27 minuta vonesë.

Etapa e tretë ndryshon sërish renditjen e përgjithshme për motorë. Është pikërisht Sunderland ai që merr vendin e parë i ndjekur në të dytin nga benavides, ndërsa i treti është ngjitur Quintanilla. Barreda zbret në vendin e 14 të klasifikimit të përgjithshëm.

E njëjta histori edhe për Nasser Al Attiyah. pasi fitoi etapën e parë piloti i Toyotas fitoi edhe të tretën me 3 orë 9 minuta e 8 sekonda. pas Al Atijah u renditën 4 pilotë të skuadrës Peugeot; Peterhansel në vendin e dytë, Sainz në të tretin, të ndjekur nga Despres dhe Loeb. Al Attiyah e kryesoi nga fillimi deri në fund këtë etapë të fituar me meritë.

Edhe te makinat ka ndryshime në renditjen e përgjithshme pasi është Peterhansel që merr kryesimin duke e zbritur Despres në vendin e dytë, ndërsa Al Attiyah ngjitet në vendin e tretë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA