Një ent rregullator i pavarur i energjisë refuzoi planin e administratës Trump për të mbështetur impiantet bërthamore dhe me qymyr përmes subvencioneve, duke goditur fort misionin e presidentit për të ringjallur industrinë në telashe të qymyrit.
Komisioni Rregullator Federal i Energjisë, i kontrolluar nga republikanët, në një lëvizje të papritur duket se i jep fund përpjekjeve të Trump për të rimëkëmbur qymyrin si burimin kryesor të energjisë së vendit.
Kjo industri është dëmtuar nga shumë falimentime dhe humbje e tregut, pasi gazi natyror dhe burimet e rinovueshme të energjisë lulëzojnë. Administrata trump vitin e shkuar tha se centralet bërthamore dhe me qymyr të energjisë elektrike duhen mbështetur për të pasur rezerva në rast katastrofash.
Nga viti 2002 deri në 2016 janë mbyllur në SHBA 531 centrale me qymyr dhe 8 bërthamore po bëhen gati për këtë. Donald Trump u zotua se do ta ndalojë këtë trend duke hedhur poshtë disa rregullore ambientale të miratuara nga administrata Obama. Por ekspertë të pavarur, muajin e shkuar, dolën në përfundimin se plani Trump do t’i kushtonte taksapaguesve 10,6 miliard dollarë në vit, përveçse do të mbante në jetë disa nga central energjetike më ndotëse në vend.
Këtu u bazua edhe komisioni i energjisë për vendimin e tij, në të cilin shprehet se pavarësisht pretendimeve të administratës, nuk ka prova që centralet e vjetra me qymyr duke u mbyllur kërcënojnë besueshmërinë e rrjetit elektrik kombëtar.
Plani i administratës u kundërshtua edhe nga shumë biznese, të cilët thanë se mbajtja gjallë me zor e një sektori energjetik në zhdukje, për shkak të zhvillimit teknologjik, është ndërhyrje në treg dhe konkurrencë, që do të rrisë çmimet në kurriz të konsumatorëve.
Top Channel