Drejtori i ri i policisë, emrat e përfolur dhe ata që plotësojnë kriteret

09/01/2018 15:04

Në bazë të ligjit për Policinë e Shtetit, pasuesi i Haki Çakos duhet të ketë gradën “Drejtues i lartë” ose “Drejtues i parë”. Po ashtu ai nuk duhet të ketë dyshtetësi, por vetëm shtetësi shqiptare dhe të ketë të paktën 15 vjet përvojë në polici, nga të cilat 10 vjet në pozita të larta drejtuese.

Kush i plotëson këto kritere? Në kuptimin e ngushtë kriteret, sipas rendit alfabetik i plotësojnë Agron Sojati, ish-drejtor i antiterrorit, aktualisht Këshilltar për Sigurinë në Kryeministri, Bilbil Mema, drejtor i Akademise së Sigurisë, Gjovalin Loka, drejtori i Policisë së Shkodrës, një “ekspert” i njohur në radhët e uniformave blu dhe Rebani Jaupi, drejtori aktual i komanduar.

Por, emra të tjerë që përfliten në korridoret e policisë dhe të politikës janë Eduard Merkaj, me një karriere të gjatë në strukturat e agjencive ligjzbatuese, aktualisht drejtor i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme, i emëruar në këtë post nga vetë ministri Xhafaj, por edhe drejtori i Policisë së Tiranës Ardi Veliu, i cili gjatë karrierës së tij ka pasur një shkëputje nga radhët e policisë.

Në rast se ministri Xhafaj do të propozonte për herë të parën një femër, e vetmja aktualisht në pozicione të larta të drejtuese është Aida Hajnaj, drejtoresha e Përgjithshme e Kufirit dhe Migracionit. Por, sipas njohësve të fushës tre emrat e fundit nuk i plotësojnë kriteret ligjore.

Në fakt emërimet e drejtorëve të kaluar, Hysni Burgaj nga qeveria Berisha dhe Artan Didi nga qeveria Rama, nuk kanë kaluar pa debate pikërisht për plotësimin e ose jo të të kritereve strikte ligjore.

Drejtori i Policisë së Shtetit ka një mandat 5-vjeçar me të drejtë riemërimi për një mandat të dytë. Haki Çako bëri vetëm 2 vjet e 9 muaj në krye të uniformave blu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA