Papunësia në Eurozonë është në nivelin më të ulët të saj në thuajse 9 vite, shenjë kjo e ringjalljes së ekonomisë së zonës së monedhës së përbashkët.
Eurostat, agjencia zyrtare e statistikave në BE tha se shkalla e papunësisë ra në 8.7 për qind në nëntor, duke kapërcyer parashikimet, si dhe rezultatet e një muaji më parë.
Shifrat janë më të ulëta që nga janari i 2009-s, kur eurozona po dilte nga një recesion i thellë që pasoi krizën financiare globale.
Agjencia tha se numri i të papunëve ra me 107 mijë gjatë nëntorit, duke ulur totalin në 14.26 milionë.
Papunësia në rajon ka rënë në mënyrë të vazhdueshme gjatë vitit të kaluar. Shifrat e fundit të këtij muaji pritet të tregojnë se rritja ekonomike është përshpejtuar në tremujorin e fundit. Të dhënat pozitive vijnë pasi Banka Qendrore Europiane lajmëroi se po fillonte të tërhiqte mbështetjen që i kishte dhënë zonës së euros, me 19 anëtarë gjatë krizave të viteve të fundit, kjo për shkak të ekonomisë solide.
Banka, gjithsesi mbetet e shqetësuar për nivelin e fshehtë të inflacionit në Eurozonë, pavarësisht panoramës pozitive për sa i takon vendeve të punës, që normalisht do të rrisë çmimet, me europianët që janë më të predispozuar për të shpenzuar parà.
Inflacioni në Eurozonë është i ulët: 1.4 % në dhjetor, krahasuar me objektivin e Bankës Qendrore prej 2 përqindësh, gjë që bëri që shefi i BQE-së, Mario Draghi të siguronte investitorët se era e parave të lira nuk kishte përfunduar ende.
Eurostat njoftoi se papunësia ka rënë në të gjitha shtetet anëtare të BE-së, krahasuar me një vit më parë, me rënien më të madhe të regjistruar në Greqi dhe Portugali, dy prej viktimave më të mëdha të krizës së borxheve në Eurozonë.
Top Channel