Kreu i Partisë Demokratike ka zhvilluar një takim në Kamzë, ku është shprehur se largimi i Haki Çakos është veçse një pakt mafioz midis tij dhe Edi Ramës.
“Kjo është një qeveri thellësisht antipopullore. Edhe largimi i sotëm i Haki Çakos nuk është gjë tjetër veçse plotësimi i një pakti mafioz midis tij dhe Edi Ramës. Edi Rama ka garantuar Haki Çakos se pavarësisht qenies në krye të Policisë së Shtetit kur vendi u mbulua me drogë, pavarësisht së qënit leva e Saimir Tahirit, kur policia u kthye në një organizatë kriminale, pavarësisht veprimeve të paligjshme me përgjuesit që përgjonin opozitën, diplomatët e huaj dhe çdo kundërshtar të vërtetë apo të perceptuar të qeverisë, mund të ikë i lirë në punën e tij. Nga ana tjetër Haki Çako do ta mbyllë gojën për aferat e tmerrshme kriminale dhe korruptive që implikojnë drejtpërdrejt Edi Ramën dhe njerëzit e tij më të ngushtë në qeveri dhe në Partinë Socialiste. Por, dua t’jua them sot ju dhe çdo shqiptari. Ky pakt mafioz nuk do ta ketë jetën e gjatë”, tha Basha.
Kreu i opozitës u shpreh se për shkak të një qeverie të bërë njësh me krimin, sot Shqipëria është vendi me numrin më të madh të azilkërkuesve në Europë. Për të treguar se qeveria e Edi Ramës përdor dy standarde për qytetarët e pamundur dhe për kriminelët.
Lulzim Basha tha se demokratët dhe opozita është e vendosur të mos e lërë Shqipërinë peng të një qeverie të ardhur në pushtet nga pakti me krimin. Kryetari i Partisë Demokratike i inkurajoi shqiptarët të mos heshtin, të mos ulin kokën, të mos pajtohen me të keqen, por të protestojnë për të larguar qeverinë e krizës dhe për t’i dhënë vetes mundësinë të zgjedhin të lirë një qeveri që i shërben interesit të tyre. “Këto protesta – tha Basha do të mundësojnë krijimin e një qeverie që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme”. Basha theksoi se në kushtet e një loje të barabartë, Partia Demokratike, me programin e saj, del fituese.
Top Channel