Nga 25 pikat që në mënyrë të përmbledhur japin premtimet e qeverisë për 100 ditët e para të qeverisjes, 3 kanë të bëjnë me situatën e rendit: Përcaktimi i kornizës së Vetting-ut në Policinë e Shtetit, Lançimi i operacionit kombëtar kundër rrjeteve kriminale dhe Çrrënjosja e kanabisit dhe heqja përfundimisht e Shqipërisë nga harta e vendeve kultivuese.

Këto premtime rezultojnë pjesërisht të realizuara. Përcaktimi i kornizës së Vetting-ut për policinë ka përfunduar dhe projektligji do të diskutohet në parlament me rifillimin e sesionit të ri më 15 janar. Pra, ky premtim mund të quhet i mbajtur, ndonëse pr/ligji nuk është bërë ende publik dhe efektet reale të tij pritet të ndihen shumë më vonë.

Premtimi i dytë në lëmin e rendit, ai për lançimin e një operacioni kombëtar kundër rrjeteve kriminale, mund të quhet pjesërisht i plotësuar. Operacioni “Forca e Ligjit” për goditjen e grupeve kriminale vërtet u lançua në fillim të nëntorit, por rezultatet e tij janë të vakta. Një rast i shfrytëzimit të prostitucionit u godit në Shkodër për të cilin procedimi penal kishte filluar 6 muaj më parë nga një dënoncim i një organizate joqeveritare për të drejtat e njeriut. Rasti i dytë dhe i fundit i këtij operacioni të njoftuar me bujë ishte në Fier, ku operacioni përfundoi vetëm me sekuestrimin e disa gramëve kanabis, një pistolete dhe arrestimin e 3 personave, njëri prej të cilëve u lirua në arrest shtëpie.

Tani që formalisht operacioni ka nisur, policia mesa duket nuk ka specialistë hetimi për të luftuar grupet kriminale. Njoftimi i uniformave blu që bën thirrje për aplikime të bën të mendosh se task forcat rajonale dhe ajo qëndrore kanë mungesë burimesh njerëzore. Operacioni do të asistohet nga 7 hetues të huaj, ndërkohë që akoma po punohet për ngritjen e zyrave të task forcës qëndrore, ku do të vendosen edhe pajisjet speciale.

Lufta ndaj kanabisit, që ishte një tjetër premtim duket se është fituar përsa i përket kultivimit. Vrojtimi i fundit i territorit i Guardit di Financias më 3 nëntor nxori rreth 5000 bimë të kultivuara, ndërkohë që për vitin 2016 vetëm të raportuara si të asgjësuara nga policia kanë qenë rreth 2.5 milionë bimë.

Por, nëse është fituar lufta ndaj kultivimit, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për trafikimin ndërkombëtar të drogës. Gjatë 100 ditëve ka pasur të paktën 4 tentativa për të kontrabanduar sasi të mëdha droge drejt Italisë dhe Greqisë që janë kapur nga Policitë e vendeve fqinje, në ndonjë rast edhe me bashkëpunimin e policisë shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA