Zyrtarë të administratës “Trump” janë hedhur në ofensivë pas botimit të librit denigrues për presidentin amerikan. Te “Zjarr dhe tërbim”, gazetari Michael Wolff vë në pikëpyetje aftësitë mendore të shefit të Shtëpisë së Bardhë.
Por Stephen Miller, një prej këshilltarëve kryesorë të Trumpit, këmbëngul se ajo çfarë paraqet libri bie në kundërshtim me realitetin e njerëzve që punojnë për manjatin republikan.
“Wolff është autori fundërrinë i një vepre fundërrinë”, ishin komentet e ashpra të tij.
Miller fshikulloi po ashtu ish-shefin e strategjive Steve Bannon, i cili citohet ta ketë etiketuar djalin e madh të presidentit, Donald Trump Jr., si tradhtar për takimin e zhvilluar me rusët në mesin e fushatës elektorale në vitin 2016.
Duke folur për CNN-in, ai e përshkroi Bannonin si një “person të zemëruar dhe hakmarrës, komentet groteske të të cilit janë shumë të shkëputura nga realiteti”.
Megjithatë, vet Bannon ndërkohë është distancuar nga komentet e atribuuara atij, duke thënë se i vinte keq që nuk kishte reaguar më parë dhe se Donald Trump Jr. është një njeri i mirë dhe një patriot.
Kjo deklaratë vjen në kohën kur, siç raporton shtypi vendas, Trump u ka kërkuar miqve dhe aleatëve të zgjedhin mes tij dhe ish-kryestrategut të vet. Edhe kreu i CIA-s, Mike Pompeo është shprehur se presidenti është plotësisht i aftë për funksionin që kryen, pasi kupton çështjet komplekse.
Top Channel