Tmerri që ripërsëritet/ Në pallatin që rrezikohet sot, u kompensuan të dëmtuarit e 2008-ës

07/01/2018 19:44

Banoret e pallatit 5-katësh në lagjen “11 Janari” të Gjirokastrës, nuk do mund ta harrojnë kurrë shembjen e tij 9 vite më parë. Ergesti atëherë 7 vjeç, humbi në rrënoja nënën dhe motrën 13 vjeçe.

Për të tmerri është rishfaqur sërish, pasi gjyshërit e tij, nga e ëma, jetojnë në pallatin e rrezikuar prej rrëshqitjes së dheut.

“Të mbeten plagë, sepse unë kam humbur mamanë dhe motrën time nga ajo fatkeqësi, që nëse do ishin marrë masa, nuk do ndodhte. Pse duhet të rrezikohen edhe gjyshërit e mi tani, që e përjetuan njësoj tragjedinë e 2008-ës. Duhet të merren masat”, shprehet Ergest Dajlani.

Ramize Braho, bashkëshorti i saj Ibrahimi dhe vajza e tyre janë një tjetër familje që përjetoi momente dramatike të jetës në 2008-ën. Tashmë ata jetojnë në një apartament 42m katror, që e përfituan në kompensim të pronës që humbën pas shembjes së pallatit. Ramizja gjendej në shtëpi bashkë me 2 mbesat binjake 7-vjeçare, ditën e rrëzimit të pallatit.

“Nuk e harroj. Unë dhe fëmijët. Ajo erdhi në mënyrë të befasishme, si karton prej letre. Zhurma u dëgjua shumë, edhe në qytet brenda madje”, tregon Ramizeja.

I shoqi Ibrahimi kujton se në atë kohë nuk u vlerësua serioziteti i situatës.

“Duhet të vënë dorë patjetër, që të mos ndodhë ndonjë gjë e jashtëzakonshme”, u shpreh Ibrahim Braho.

Megjithëse rrethanat dhe kushtet teknike mund të mos jenë njësoj, ata që e përjetuan tragjedinë e 2008-ës, po e rijetojnë atë sërish këto ditë dhe bëjnë apel për të mos rrezikuar përsëritjen e historisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA