Të paktën 17 civilë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën si pasojë e 24 orëve të fundit me bombardime në enklavën siriane të Gutas Lindore.
Helmetat e bardha, grupi i vullnetarëve që ndihmojnë njerëzit në terren, thanë se sulmet ajrore nuk kanë të ndalur mbi këtë zonë të kontrolluar nga rebelët dhe që prej vitesh mbahet e rrethuar nga forcat qeveritare.
Grupi i vullnetarëve, por edhe aktivistët në terren, thanë se që pa u mbyllur viti i shkuar, avionët e qeverisë siriane të mbështetur nga fuqia ajrore ruse, nisën bombardimet dhe përshpejtuan ofensivën ndaj zonave të fundit në vend që mbahen nga rebelët.
Prej kohësh OKB e ka cilësuar katastrofike situatën në Gutën lindore, ku pavarësisht marrëveshjes për evakuimin e të sëmurëve rëndë, bombardimet nuk kanë ndalur. Aktivistët nga terreni raportojnë se bombardimet nuk kursejnë as spitalet dhe 10 të tillë janë bombarduar gjatë ditëve të fundit, me disa prej tyre të shkatërruar plotësisht.
Guta lindore, e cila gjendet në rrethinat e kryeqytetit Damask, është pjesë e planit dhe armëpushimit të propozuar rus për të reduktuar luftimet, propozim i pranuar edhe nga presidenti sirian Bashar Al Asad. Por situata në terren flet qartësisht ndryshe pasi bombardimet me ardhjen e vitit të ri janë intensifikuar ndjeshëm.
Top Channel