Carlos Tevez është rikthyer në shtëpi dhe kjo është zyrtare. Ish-sulmuesi i Manchester United dhe Juventus është bashkuar me argjentinasit e Boca Juniors, pas një eksperience një vjeçare në kampionatin kinez, në radhët e Shanghai Shenhua.
Lajmi për rikthimin në Argjentinë të ‘Apache’ u bë i ditur nga vetë klubi i Boca Juniors. “Tevez është rikthyer në shtëpi! Është bashkuar sot me skuadrën dhe po stërvitet me shokët e skuadrës së tij”, shkruhet në profilet e rrjeteve sociale të klubit argjentinas.
Për ta bërë më të besueshme më vonë është bërë edhe një postim që Tevez stërvitet në palester me futbollistët e tjerë të Boca Juniors. Për 33 vjeçarin Tevez bëhet fjalë për rikthimin e tretë në karrierë te Boca Juniors, skuadër në të cilën ai u zbulua si talent dhe më pas u bë i famshëm edhe në futbollin botëror.
Eksperienca e Tevez në kampionatin kinez më shumë se për anën sportive do të mbahet mend për atë ekonomike, pasi ai përfitonte një pagë marramendësve prej 730 mijë eurosh në javë, duke u bërë futbollisti më i paguar në planet në fillim të vitit 2017.
Top Channel