Shtegu i Gjelbër, edicioni i tretë i garës “Cross Country”

06/01/2018 16:45

“Shtegu i Gjelbër” arrin në edicionin e tretë në shtatë janar. Për të gjithë të apasionuarit kjo garë “Cross Country” do të bëjë bashkë një numër të madh çiklistësh që fillojnë që nga amatorë, profesionistë të grupmoshave të ndryshme.

Gara është e një terreni të vështirë malor dhe pritet të fillojë mëngjesin e të dielës deri pasdreke, përgjatë atij që quhet “Shtegu i Gjelbër”.

“Ne do të përdorim një pjesë të rrugës për të bërë garën, që në një farë mënyre krijon edhe këtë emrin e ‘shtegut të gjelbër’. Kjo garë ka 100 pjesëmarrës që është një numër shumë i madh për skenën shqiptare të çiklizmit dhe të sportit ”,u shpreh Edvin Kasimati, organizator.

Pas organizimit të kësaj garë, më të madhes në Shqipëri, qëndron një staf i madh nga Shoqata e Çiklistëve, Bashkia e Tiranës dhe Federata Shqiptare e Çiklizmit.

“Ne jemi 25 persona që marrim pjesë në staf, plus pjesën e mediatizimit, gara mund të ndiqet edh enë internet. Kjo është padiskutim gara më e madhe që zhvillohet në Shqipëri për të tretin vit resht”, vuri në dukje Edvin Kasimati.

Çiklistët duhet të kenë parasysh sidomos orientimin nëpërmjet GPS për trajektoren që do të ndjekin. Ndërkohë që për pjesën teknike organizuesit kanë përgatitur këshillat e nevojshme.

Por kjo garë ka një mision edhe më të gjerë. Të afrojë më shumë të gjithë qytetarët me sportin, për një jetë më të shëndetshme. Dhe përveç kësaj pesë vendet e para do të kenë edhe një vlerë monetare shpërblyese.

“kemi një sponsor që ka ofruar 2000 euro për 5 vendet e para”, tha Kasimati.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA