Shpërthimi verbal në një intervistë televizive pas barazimit 1-1 ndaj Fiorentinës, ishte reflektimi i qartë i zhgënjimit të trajnerit Spalletti dhe tifozëve të Interit për ndalesën e detyruar në Firence.
Nëse do të kishte përfunduar me 3 pikë në favor, transferta do ti jepte frymëmarrje kampionatit dhe titullit që shpresojnë zikaltërit, por në të vërtetë e përkeqësoi gjendjen e milanezëve. Në më pak se një muaj kanë ndryshuar shumë gjëra në kampin e Interit. Në 9 Dhjetor formacioni i trajnerit Spalletti përballej me Juventusin nën petkun e një kryesuesi. Por në 5 ndeshjet e fundit ka një ritëm të denjë për ekipet që zbresin nga kategoria.
Probleme fizike, teknike dhe psikologjike janë verifikuar nën pemën e Krishtlindjeve. Barazimi në Firence është i treti në 5 ndeshjet e fundit për zikaltërit, që veç tyre kanë regjistruar dhe disfatat ndaj Udineze dhe Sassuolo. 3 pikë, 5 gola të pësuar dhe vetëm dy të shënuar, që të dy nga Icardi. Këto numra dëshmojnë mangësi te një skuadër që ka objektiv rikthimin në Ligën e Kampioneve, e që ende e quan të realizueshme, ëndrrën për titullin.
Perisiç është kthyer në një trup të huaj në formacionin titullar, Candreva përfundoi në pankinë për shkak të gjendjes fizike ndërsa dëmtimet e D’Ambrozio dhe Miranda minuan çdo siguri në mbrojtje. Merkatoja e Janarit duket si një fije shprese për zikaltërit, por me kufizimet e bilancit të imponuara ndaj pronarëve, duket se rikthimet e huazimeve janë zgjidhja e vetme te Inter.
Top Channel