2018-a ka nisur mbarë për kryeqytetin, të cilës i janë shtuar 110 pemë të reja, duke shtuar kështu sipërfaqet e gjelbra për qytetarët. Këtë herë, nismës së bashkisë së Tiranës për mbjelljen e 2 milion pemëve të pyllit orbital, iu bashkuan një grup studentësh, të cilët lanë kafenetë dhe mbollën pemë.

“Falë bujarisë së donatorëve po mbjellim 110 pemë të reja, për të ecur me idenë e Pyllit Orbital. Më vjen mirë për studentët, jo se na lipset krahu i punës, sepse kemi mjaftueshëm njerëz që kontribuojnë, por unë besoj se shënjon një trend të ri. Trendet nuk janë vetëm celularë, rrjete sociale apo kafene, por trend është edhe sjellja që kemi ndaj qytetit që kemi trashëguar e që duhet t’ia lëmë dikujt tjetër trashëgim”, tha

Kryebashkiaku Veliaj tha se nisma të tilla janë pozitive për të ndërgjegjësuar të rinjtë edhe për kujdesin që duhet të tregojnë ndaj mjedisit

“Para dy vitesh e filluam si qyteti më i ndotur në Ballkan, sot jemi tre herë më të pastër se Shkupi. Do të thotë se jemi produkte të vendimeve që marrim vetë. Nëse marrim vendime për më shumë gjelbërim, për më pak përdorim makinash, më shumë pista biçikletash dhe pista vrapimi, atëherë produkti i këtyre vendimeve është ajri më i pastër në Tiranë. Ndaj, vendimet që marrim udhëheqin jetën e këtij qyteti, i cili varet nga vendimet që marrim sot”

Veliaj beson gjithashtu se mbjellja e pemëve është edhe një investim për brezat e ardhshëm.

“Është një investim që do të vazhdojë edhe kur mos të jemi ne, 100, 200, 1 mijë vjet më pas. Por ajo që besoj ka rëndësi është se secili prej nesh që ecën në rrugët e këtij qyteti, që nga Kryetari i Bashkisë e deri tek studenti që sapo ka ardhur në Tiranë, të thotë: lashë një shenjë në këtë qytet, kjo është pema që mbolla. Mund të kenë kaluar shumë vite, por ndihem krenar që jetuam një jetë të denjë”.

Një pjesë e buxhetit të vitit 2018 për Bashkinë e Tiranës do të shkojë për Pyllin Orbital dhe për gjithçka do të duhet deri në mbjelljen e 2 milion pemëve deri në 2030.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA