Pagëzimi i shpëtimtarit është një ditë e shënuar në kalendarin e riteve të krishtera.
Besimtarët ortodoksë kanë ndjekur ritet e kësaj dite të shënuar. Në Korçë ceremonitë janë zhvilluar në katedrale “Ringjallja e Krishtit”, në të cilat ka marrë pjesë edhe presidenti Ilir Meta, i cili ka marrë edhe bekimin e Mitropolitit të Korçës, Johan Pelushi.
Më pas në një nga shëtitoret e Korçës është bërë ceremonia e hedhjes së kryqit në ujë, gjatë së cilës mori pjesë edhe Presidenti.
Për shkak të numrit të madh të besimtarëve që ndoqën ceremoninë e ujit të bekuar dhe që në këtë ditë ndezin qirinj në ambientet e katedrales në Korçë, në zonën e hyrjes së kësaj kishe ra zjarr për shkak të numrit shumë të madh të qirinjve të ndezur.
Ceremonitë e ditës së ujit të bekuar janë zhvilluar në të gjitha kishat ortodokse të vendit. Në Durrës kryqi është hedhur në ujërat e portit dhe u kap nga i riu Alban Gjonmarkaj.
Ceremoni të ngjashme janë zhvilluar edhe në Gjirokastër. Në Berat kryqi është hedhur në ujërat e lumit Osum dhe është kapur nga Xhoxhi Naço. Në Vlorë pas ceremonisë së hedhjes së kryqit në det, At Konstandin Prifti ka uruar të gjithë shqiptarët.
Top Channel