Gjykata më e lartë në Moldavi pezulloi nga detyra presidentin Igor Dodon, pasi ky i fundit vuri veton ndaj një ligji që kishte si synim ndalimin e lajmeve në rusisht.
Mbështetësit e ligjit thonë se ai redukton propagandën e mediave pro ruse. Por presidenti Dodon u shpreh se ligji ishte një akt i qartë cenimi të lirisë së informacionit. Sigurisht që çështja nuk është kaq e thjeshtë, pasi Moldavia prej kohësh është shndërruar thuajse në një tërheqje litari mes Rusisë dhe Bashkimit Europian.
Ligji antipropagandë, siç njihet ndryshe, propozon ndalimin e ritransmetimit të programeve informative ruse dhe gjobit rëndë ata që nuk binden. Disa ekspertë mendojnë se Moldavia është përfshirë në një luftë informacioni mes fraksioneve pro BE dhe pro ruse. Presidenti Dodon i përket kampit pro rus, ndërsa parlamenti dhe qeveria e kryeministrit Pavel Filip kontrollohen nga partitë e kampit pro evropian.
Pas vendimit për pezullim të gjykatës kushtetuese, presidenti Dodon sërish e sulmoi ligjin si censurë bazuar në standarde të dyfishta. Kjo ishte hera e tretë që gjykata kushtetuese pezullon presidentin moldav në tre muaj. Në tetor ai pezullua, sepse nuk pranoi ministrin e mbrojtjes të koalicionit, ndërsa këtë të martë pasi refuzoi të emërojë gjashtë ministra të rinj. Në të gjitha rastet pezullimit të presidentit Dodon, gjykata kushtetuese i dha fuqinë për të kaluar ligjet kreut të parlamentit Adrian Candu.
Top Channel