Në kuadër të premtimit që Qeveria ka bërë në fillim të mandatit të saj, për “Qeverisje në koalicion me njerëzit e zakonshëm”, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj shprehet se institucioni që ajo përfaqëson mbetet i angazhuar maksimalisht për të trajtuar dhe zgjidhur ankesat e qytetarëve.
“Vetëm gjatë muajve tetor – dhjetor të vitit që lamë pas, përmes platformës së bashkëqeverisjes “Shqipëria që Duam”,në adresë të Ministrisë së Drejtësisë, qytetarët kanë shkruar dhe adresuar 277 ankesa. Të cilat janë trajtuar në mënyrë serioze nga strukturat teknike të Ministrisë nga vetë unë si Ministre dhe Kabineti im. Bazuar në ankesat e paraqitura, kam urdhëruar ngritjen e grupeve të posaçme të inspektimit, të cilët gjatë muajve nëntor-dhjetor kanë inspektuar zyrat e hipotekave të Fierit, Shkodrës, Elbasanit, Pogradecit dhe Korçës”, u shpreh ministrja Gjonaj.
Më tej ajo ka vënë në dukje se në përfundim të kontrolleve dhe hetimeve administrative janë konstatuar shkelje të ligjit dhe vonesa të tejskajshme dhe të pajustifikuara në trajtimin e disa prej tyre.
“Të vendosur për të goditur shkeljet e ligjit dhe veprimet korruptive, sot kam marrë masat administrative deri në shkarkimin e tyre, për 8 punonjës të zyrave të hipotekave në rrethet: Elbasan, Lushnjë, Fier, Durrës, Tiranë, Pogradec, Korçë dhe Shkodër që kanë pasur në trajtim këto raste”, u shpreh Gjonaj.
Ndër të tjera ministrja Gjonaj u bëri thirrje qytetarëve që për çdo problem apo vonesë të pajustifikuar t’u drejtohen përmes platformës shqiperiaqeduam.al.
Top Channel