Erdogan në Francë, Macron: Turqia, ende jo në BE

05/01/2018 21:59

Presidenti francez Emmanuel Macron i tha homologut të tij turk Reccep Tayyip Erdogan se vendet demokratike duhet të respektojnë sundimin e ligjit në luftën kundër terrorizmit, ndërsa shprehu shqetësimin e tij për fatin e studentëve, mësuesve dhe gazetarëve të arrestuar në Turqi.

Pas bisedimeve të zhvilluara në pallatin Elize, Macron tha se dy liderët nuk kishin rënë dakord për të drejtat e njeriut. Presidenti francez gjithashtu shtoi se zhvillimet e fundit në Turqi, nuk lejojnë progres në përpjekjet e Turqisë për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Franca nuk ka qenë kurrë një përkrahëse e zjarrtë e anëtarësimit turk dhe qëndrimi kritik i Bashkimit Evropian për situatën në Turqi e ka lehtësuar këtë pikëpamje. Brukseli ka shprehur shqetësim për operacionet policore pas grushtit të dështuar të shtetit të vitit 2016 me mbi 50 000 arrestime dhe 150 000 shkarkime apo pezullime nga detyra, përfshirë mësues, gazetarë apo gjykatës.

Erdogan, i cili prej 15 vjetësh dominon politikën turke, mbrojti operacionet e Ankarasë dhe tha se disa gazetarë kanë nxitur terrorizmin me shkrimet e tyre. Madje presidenti turk pati edhe një debat me një gazetar të pranishëm në konferencën për shtyp që e pyeti për dërgesat me armë nga Turqia në Siri, duke e akuzuar se po flet si armiqtë e vendit.

Për sa i takon BE, Erdogan deklaroi se Turqia është lodhur duke kërkuar anëtarësimin që nuk vjen kurrë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA