Dekriminalizimi, procesi që vazhdon, emrat që mbeten pa mandat dhe historiku i votimit në KQZ

05/01/2018 19:34

Dekriminalizimi i politikës dhe administratës është një proces që filloi 3 vjet më parë pas një marrëveshjeje politike dhe një ligji konsensual.

Të parët që vendosën të linin mandatin pa hyrë ende në fuqi ligji ishin Arben Ndoka dhe Mark Frroku. Në harkun kohor të dy viteve ligji i dekriminalizimit u ka hequr mandatin 5 të zgjedhurve: 4 deputetëve dhe një kryetari bashkie.

Pas verifikimit të thelluar nga Prokuroria, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndërpreu në unanimitet mandatin e deputetit të LSI, Shkëlqim Selami dhe të kryebashkiakut socialist të Kavajës, Elvis Rroshi.

Veprat penale të trafikimit të qenieve njerëzore për të dy, apo ndalimet, dëbimet, dënimet me vendime të formës së prerë dhe përdorimi i disa emrave nga Elvis Rroshi e bënë të pamundur mbrojtjen e tyre. Rroshi dështoi edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Në të njëjtën mbledhje iu ndërpre mandati edhe Dashamir Tahirit. Por Partia Demokratike votoi kundër heqjes së mandatit të deputetit Dashamir Tahiri, sepse refuzoi ta krahasojë dënimin e Dashamir Tahirit për një patentë të falsifikuar me veprat penale të Elvis Rroshit.

Që nga ky moment, votat në KQZ-së kanë reflektuar qëndrimet e partive në favor të funksionarit të krahut të tyre politik.

Partia Socialiste zgjodhi të mos e pranojë kërkesën e prokurorisë për t’i ndërprerë mandatin dy kryebashkiakëve të majtë Termet Peçit të Tepelenës dhe Adriatik Zotkajt të Poliçanit. Ndërkohë vetëm pak javë më parë shumica e re në KQZ PD-LSI mbrojti kryetarin demokrat të Mallakastrës, Agron Kapllanajn, pasi prokuroria vlerësoi se mandati i tij nuk ndërpritej. Për shkak se Partia Socialiste mendon ndryshe, e ka ankimuar çështjen në Gjykatë Kushtetuese.

Rasti i fundit: PS dhe PD në KQZ aprovuan këtë 5 janar kërkesën e prokurorisë për përfundimin e mandatit të deputetit të PDIU, Aqif Rakipi dhe atij të LSI-së, Gledion Rehovica. Solidariteti që LSI i dha deputetit të saj është mungesa në votime e anëtarit të saj në KQZ, Gëzim Veleshnja.

Gjatë vitit që kaloi u ezauruan në një mbledhje të vetme rastet e një numri të madh deputetësh dhe kryebashkiakësh të majtë e të djathta me gabime në emra apo ditëlindje në formularin e dekriminalizimit, mes tyre dhe Sali Berisha. Këto u konsideruan gabime pa lidhje me procesin e dekriminalizimit.

Në këshillat bashkiakë apo zyrat drejtuese të shtetit ka pasur një numër të madh lëvizjesh për shkak të dekriminalizimit. Efekt pozitiv i ekzistencës së këtij ligji është edhe rezervimi i partive në kandidimin e personave me precedent kriminalë në zgjedhje, ndonëse jo në mënyrë të plotë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA