Konsullja e Kosovës ishte në darkën e organizuar nga SHBA për përfaqësuesit e vendeve që i dolën në krah në OKB për Jerusalemin, por jo Shqipëria e cila votoi kundër. Presidenti Trump i ka drejtuar një mesazh falenderimi ambasadorëve dhe ju ka premtuar mbështetje për vendet e tyre.
Diplomacia në njërën anë dhe fshikullima në tjetrën: duket se votën në Asamblenë e përgjithshme të OKB-së, Trump dhe ambasadorja e tij në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley e kanë marrë shumë seriozisht.
Sinjalet që ajo po dërgon në fakt janë të qarta, që nga paralajmërimet e lëshuara përpara votimit në muajin dhjetor, e deri tek pritja e organizuar mbrëmjen e 3 janarit me të ashtuquajturit “miqtë e Amerikës”, ku ishin ftuar vetëm vendet të cilat votuan kundër apo abstenuan nga votimi i rezolutës që dënonte njohjen e Jerusalemit nga Washingtoni, si kryeqyteti i Izraelit.
Konsullja e Kosovës në New York, Teuta Sahatçija, ishte e pranishme në event, ku nuk është ftuar nga ana tjetër ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare, e anashkaluar për shkak së vendi ynë votoi në favor të rezolutës.
Sahatçija ka postuar në faqen e saj në facebook edhe mesazhin-video të presidentit Trump, për të pranishmit në këtë pritje, të cilët ai i falënderon për mbështetjen, u tregon se me partnerë të tillë do ta vazhdojnë bashkëpunimin e në fund, i përcjell dhe urimet e vitit të ri.
Ambasadori izraelit në OKB, Danny Danon e lavdëroi qëndrimin e Haley dhe e cilësoi Amerikën të guximshme, duke i bashkëngjitur mirënjohjen e vendit të tij, për këtë veprim. “Ka shumë hipokrizi në Kombet e Bashkuara.
Mendoj se vendet që qëndruan në krah të Amerikës, do t’i dëgjojnë falënderimet e saj për faktin që mbështetën të vërtetën”, u shpreh Danon.
Top Channel