Dështimet e fundit në kampionat dhe eliminimi nga Kupa e Italisë e projektuan Interin si skuadrën e parë italiane që do të shkonte drejt merkatos së janarit.
E ndërsa drejtuesit më të lartë të skuadrës kanë nisur zyrtarisht konsultimet për përforcimet që mund të bëhen gjatë ditëve të muajit janar, trajneri Spalletti ndihet i shqetësuar. “Çfarë do të blejë skuadra? Në fakt unë jam këtu për të fshehur kontratat e futbollistëve të mi, pasi kam frikë se mos ikën ndonjë nga këta që kam, ndaj erdha të marr kontratat e tyre, e të sigurohem që nuk largohen”, tha me ironi trajneri i Interit.
Edhe pse Spalletti është shprehur se skuadra ka nevojë për më shumë kualitet, veçanërisht në organizimin e lojës, kur flitet për emra konkretë ai kalon përgjegjësinë te drejtori Sabatini. “Unë nuk kam lidhje me këtë punë, duhet të pyesini Sabatinin. Fantazist? Më duhet të ruaj këta që kam. Duke qenë se kam frikë se mos më ikën ndonjë prej tyre, mirë është që kontratat e tyre ti mbaj unë në shtëpi”, tha Spalletti, duke u larguar nga selia e Interit, ku u mbajt edhe takimi i parë zyrtar për lëvizjet e mundshme që skuadra zikaltër do të bëjë në merkaton e janarit.
Top Channel