Top Channel, përtej lajmit; ngjarjet dhe historitë personale, që prekën jetët e njerëzve

31/12/2017 19:57

Viti 2017 ka qenë i ngarkuar me ngjarje që kanë prekur thellësisht jetën e njerëzve. Ashtu siç i takon një media të përgjegjshme dhe aktiviste, që mision të sajin ka jo vetëm raportimin, por edhe ndërgjegjësimin e opinionit publik, Top Channel ka shkuar vazhdimisht përtej lajmit, për të rrokur thelbin e problemit dhe, sa të jetë e mundur, për të ndikuar zgjidhjen.

Kështu, kur protesta e disatë e banorëve të Zharrëzës filloi me një grevë urie në shkurt të 2017 dhe zgjati disa ditë, ne ishim aty për ta raportuar. Ishim aty edhe kur banorët e Zharrëzës nisën marshimin e tyre në këmbë drejt Tiranës, një protestë kjo e pazakontë.

Qeveria nxori vendim dëmshpërblimi për banesat e dëmtuara ndër vite, nga shpërthimet nëntokësore për kërkimin e naftës dhe gazit. Por kur vetëm pak ditë përpara fundit të vitit 2017 kompania Bankers refuzoi të paguajë pjesën e vet të dëmshpërblimit deri në daljen e raportit të një eksperti të pavarur, atëhere ne risollëm në vëmendje të gjithë historinë e dëmtimit të banesave dhe po atë ditë dërguam ekipin tonë për një lidhje direkte me banorët e Zharrëzës gjatë edicionin qendror informativ.

E njëjta gjë me protestën e naftëtarëve të Ballshit për rrogat dhe sigurimet e papaguara. Ne treguam se si kompania shfrytëzuese e rafinerisë IRTC, e cila u pa si shpëtimtare në 2016-ën, krijoi dhjetërë milionë euro borxhe, ku pagat e punëtorëve nuk ishin veçse një pikë uji në oqean. Po kështu kemi raportuar për pagat e papaguara të 600 punëtorëve të 48 kompanive nenkontraktore qe punuan bypassin e Fierit, e që pas falimentimit të kompanisë që duhet të kryente punimet, mbetën edhe ta pa paga.

Kemi raportuar çdo protestë qoftë dhe me natyrë lokale në një televizion kombëtar, sepse mendojmë se një nga detyrat parësore tonat është të jemi pranë njerëzve në nevojë. Dhe nevojat krijohen jo vetëm nga veprat e njerëzve të papërgjegjshëm, por edhe nga fatkeqësitë natyrore, tërmetet, zjarret, përmbytjet. Tërmeti që ra në maj në Bulqizë shkaktoi dëme në disa fshatra. Familja e Adriatik Hoxhës me 5 pjesëtarë në fshatin Stripçan kërkonte ndihmë, pasi muret e shtëpisë ishin plasaritur dhe rrezikonte të shembej.

Në Velabisht të Beratit, pas tërmetit në shkurt, familja Elezi mbeti pa shtëpi. Nëna e fëmijëve lutej për ndihmë, në mungesë të burrit të shtëpisë dhe me një djalë të sëmurë, që nuk i blente dot ilaçet. Në një rast tjetër raportuam për familjen Shehu në Dibër, që me vdekjen e burrit të shtëpisë, fëmijët jo vetëm mbetën jetimë, por edhe të pastrehë.

Një tjetër ngjarje e rëndë ishte ajo e një nëne të diagnostikuar me 10 diagnoza dhe me një vajzë të rritur edhe ajo pa baba. Nëna e sëmurë kërkonte ndihmë për vajzën, që e çonte në shkollë shpesh të pangrënë, ndaj për këtë arsye ishte rrëzuar edhe pa ndjenja. Nga Sopoti i Bulqizës erdhi historia e dhimbshme e 2 vëllezërve që pasi iu dogj shtëpia jetonin në çadër, në gjendje të rënduar shëndetësore për shkak edhe të moshës.

Edhe ata i kërkonin ndihmë shtetit! 18 familje në gramsh kërkuan gjithashtu solidaritet pas zjarrit që dogji 6 banesa të katit të tretë të pallatit, duke bërë të pabanueshme edhe banesat e katit të dytë dhe të tretë, fatmirësisht pa të lënduar. Në 13 mars në katin e parë të një banese në Thumanë ra zjarr, duke lënë pa shtëpi prindërit dhe 3 fëmijët.

Top Channel shkoi përtej lajmit dhe bashkë me “Fundjavë Ndryshe” u bënë nismëtarë të rindërtimit të shtëpisë, si dhuratë dy javë përpara festave të fundvitit. Top Channel pasqyroi edhe historinë e familjes Sharka, në fshatin Ballagat, ku 10 pjestarët e kësaj familje jetonin në atë që dikur ishte zyrë e kooperativës.

Top Channel ka raportuar edhe për migracionin, që ka boshatisur fshatra të tërë, siç është rasti i Ulovës 20 km larg Gramshit, ku sot jetojnë vetëm 3 familje, totalisht të izoluara, pa infrastrukturë dhe shërbime. Përmbytjet e dhjetorit të 2017-s zunë një hapësirë të rëndësishme në edicionet tona informative, me lidhje direkte nga zonat e përmbytura dhe reportazhe të zgjeruar.

Ne ndoqëm jo vetëm operacionet e evaukimit-shpëtimit, por edhe rikthimin e vështirë të banorëve të banesat e tyre apo ankesat për shpërndarjen e ndihmave. Top Media, nëpërmjet fondacionit “Dritan Hoxha” dhe partnerëve Telekom, Balfin Group dhe Bashkia Tiranë, u bë promotor i një fushate mbledhje ndihmash për banorët e prekur nga përmbytjet.

Top Channel ka ndërmarrë një fushatë tjetër informuese dhe ndërgjegjësuese për situatën katastrofike të mbetjeve në vend. Por edhe ka mbështetur fushatën kundër kancerit të gjirit. Ose ka mbështetur fushatën “Ti je një luledielli” të moderatores Albana Osmani, që shet bluza me simbolin e lulediellit dhe paratë e mbledhura i shndërron në aparatura mjekësore dhe ndihma për fëmijët e sëmurë.

Siç është Era, vetëm 12 vjeç, që natën e vitit të ri do ta kalojë në spital me të ëmën, por që entuziazmi dhe energjia që e karakterizon, janë frymëzues për të gjithë. Në historitë e njerëzve të thjeshtë Top Channel do të gjejë frymëzim edhe për 2018-ën. Gjatë viti që lamë pas ne ishim në shumë shtëpi, gjatë vitit të ardhshëm duam të jemi shtëpia juaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA