Kush është personazhi i vitit 2017, sipas ndjekësve të Top Channel? Për të trembëdhjetin vit radhazi në 17 vjet ekzistencë, Top Channel organizoi sondazhin në faqen e tij zyrtare, top-channel.tv.
Sondazh ishte i ndarë me dy faza, ku fillimisht publiku votoi i lirë 5 personazhet më të spikatur, sipas mendimit të tij dhe në fazën e dytë listës me 10 personazhet më të votuar nga publiku iu shtuan edhe 10 personazhe të zgjedhur nga Top Channel.
Pas fazës së parë të anketimit 10 personazhet më të votuar nga publiku, sipas një renditje alfabetike ishin Arta Marku, Christian Panucci, Donald Lu, Edi Rama, Erion Veliaj, Ilir Meta, Lulzim Basha, Marin Mema, Romela Begaj dhe Saimir Tahiri.
Listës Top Channel i shtoi edhe 10 personazhet të tjerë, të spikatur për aksionin e tyre gjatë vitit që lamë pas. Propozimet e Top Channel ishin: prezantuesja e njohur Albana Osmani për nismën e saj “Ti je një luledielli”, banorët e Zharrëzës për protestën e tyre të veçantë, duke udhëtuar nga Zharrëza drejt Tiranës në këmbë, Bashkim Shehu, fitues i çmimit letrar “Balkanica”, Ermonela Jaho, sopranoja shqiptare me famë botërore, “Fundjavë ndryshe“, nisma e bamirësisë, Reparti i Kërkim-Shpëtimit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër për evakuimin dhe shpëtimin e jetëve të njerëzve gjatë përmbytjeve të dhjetorit, Igli Tare, drejtori teknik i Lacios, i shpallur menaxheri më i mirë sportiv në Itali, Izmir Smajlaj, i pari kampion Europe për Shqipërinë në kërcim së gjati, Ornela Kapetani, aktorja më e mirë e festivalit ndërkombëtar të filmit në Sarajevë dhe zjarrëfikësit e Shqipërisë, që në kushte të vështira pune dhe shpesh me mjete rrethanore përballuan situatën e rëndë të zjarreve gjatë muajve të verës.
Ajo që bie në sy nga votimi në fazën e dytë është se teleshikuesit tanë nuk kanë votuar më masivisht për politikën, siç ka ndodhur rëndom në të shkuarën. Votimi sivjet tregon se qytetarët kanë vlerësuar më shumë kauzat sociale dhe individët që me punën e tyre të përditshme u japin një arsye më shumë të ndihen krenarë, që janë shqiptarë.
Fitues si personazhi i vitit 2017 është “Fundjavë ndryshe”, që me aksionin e saj bamirës u është gjendur pranë familjeve në nevojë. Në vend të dytë, me pak diferencë nga vendi i parë, por me dyfishin e votave të Kryeministrit është gazetari i Top Channel Marin Mema.
Kolegu Mema, autor i ciklit “Gjurmë shqiptare” në një kohë kur shqiptarët vazhdojnë të jenë të përçarë dhe të pakënaqur me njëri-tjetrin në përditshmërine tyre, sjell prova dhe gjurmë të ekzistencës së shqiptarëve ndër shekuj, prova të vazhdimësisë së ëndrrave dhe përjekjeve të përbashkëta për gjuhë, komb e shtet, përtej çdo gjëje tjetër që na ndan, ndaj Marini është nderuar edhe me çmime të ndryshme për punën e tij.
Personazhi i vitit 2017 “Fundjavë ndryshe” dhe kolegu Marin Mema në vend të dytë, janë dy shembuj që i dhanë pozitivitet vitit 2017.
Top Channel