Vetëm pak kohë pasi qeveria miratoi paketën fiskale, e cila ofron lehtësira të mëdha tatimore për hotelet, një nga emrat më të njohur të hotelerisë në rang botëror ka vendosur të largohet nga Shqipëria.

Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike njoftoi se nga 1 janari, Sheraton do të braktisë Shqipërinë, duke e quajtur këtë si një nga zhvillimet më negative të 20 viteve të fundit për turizmin shqiptar.

Vetë grupi Sheraton nuk ka bërë asnjë deklaratë zyrtare mbi arsyet për largimin e tij nga Shqipëria. Por, sipas Shoqatës së Agjencive Turistike, shkaku janë politikat e gabuara që ndjek Shqipëria për të promovuar turizmin.

“Nuk jemi të sigurtë sesa rol mund të luante qeveria për të frenuar ikjen e të vetmit hotel “brand” në vend, por jemi të sigurtë që nuk mund të bënte indiferentin. Sepse përpara se të kërkohen hotele “brand” të reja, duhen mbajtur ato pak që kemi aktualisht”, thotë Shoqata Shqiptare e Agjencive Turistike.

Sipas shoqatës, mungesa e rregullave, standardeve dhe informaliteti ekstrem janë ndër shkaqet kryesore që jo vetëm mbajnë larg Shqipërisë emrat e njohur ndërkombëtarë në fushën e hotelerisë, por çojnë edhe në largimin e atyre që janë prezent.

Sheraton ishte hoteli i parë me 5 yje në Shqipëri. Me largimin e tij, Shqipëria humbet emrin e vetëm “brand” të njohur ndërkombëtarisht në fushën e hoteleri-turizmit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA