Kryetari i Partisë demokratike, Lulzim Basha ishte në Kavajë ku në një takim me simpatizantët demokratë foli për zgjedhjen antikushtetuese, sipas tij, të Prokurorit të Përkohshëm.
“Edi Rama i trembet hetimit deri në fund të Saimir Tahirit. Edi Rama i trembet, zbulimit, ekspozimit dhe më pas hetimit të lidhjeve të publikuara, të njohura e akoma të paekspozuara të tij me politikanët e lidhur me krimin dhe të tij me vetë krimin”, tha Basha.
Rritja e kriminaliteti dhje korrupsionit, kanabizimi dhe varfërimi i qytetarëve janë veprat e qeverisë Rama, tha Basha, i cili ka kërkuar bashkimin e qytetarëve në protesta.
“43 përqind e familjeve në këto ditë të ftohta dimri nuk sigurojnë dot ngrohjen, ndërsa vetëm për vitin 2017 Edi Rama shpenzoi 350 mijë euro për kondicionerë vetëm për kryeministrinë. “Le të jemi lajmëtarët e një viti të ri, që nuk do të nisë me demokratët dhe shqiptarët kokëulur, por do të nisë me Partinë Demokratike në ballë të protestave, me një premtim të madh, se ashtu siç bëmë në Kavajë, ne do ta çlirojmë Shqipërinë nga krimi dhe politikanët e inkriminuar, ne do t’i japim Shqipërisë një qeveri dhe elitë të pakorruptuar, me një të ardhme europiane dhe me një Shqipëri si gjithë Europa”, u shpreh Basha.
Top Channel