Fëmijët që po presin të evakuohen nga një zonë e rrethuar nga rebelët në kryeqytetin e Sirisë, Damask, po shfrytëzohen në negociata nga ana e regjimit.
Këtë e tha i dërguari i posaçëm i OKB-së në Siri, Jan Egeland, sipas të cilit, rebelët kishin rënë dakord të lironin punonjësit qeveritarë në këmbim të evakuimit të fëmijëve të sëmurë.
“Nëse këmben fëmijë të sëmurë me të burgosur, kjo nuk është një marrëveshje e mirë, nuk duhet të ndodhë. Ata kanë të drejtën të evakuohen, ndërsa ne e kemi për detyrë ta bëjmë këtë”, ishin fjalët e Egeland. Më herët, grupi kryesor i rebelëve në Ghoutan lindore, Jaysh al-Islam, tha në një postim në Twitter se qeveria kishte rënë dakord të lejonte evakuimet në këmbim të lirimit të 29 punonjësve qeveritarë.
12 pacientë u evakuuan të mërkurën, ndërsa 13 të tjerë pritet të largohen të enjten. Mjekët theksojnë situatën alarmante dhe thonë se është e vështirë të përcaktohen personat që duhet të evakuohen urgjentisht. Një prej tyre përmend rastin e një vajze, së cilës, pas shumë përpjekjesh, iu aprovua evakuimi, por fatkeqësisht ishte shumë vonë, pasi kishte vdekur.
Të paktën 400 mijë banorë në distriktin e copëtuar nga lufta kanë qenë nën rrethimin e forcave qeveritare që prej vitit 2013. I dërguari i posaçëm i OKB-së në Siri tha se personat që janë të bllokuar në Ghoutën lindore nuk mund të mbështeten më në asistencën mjekësore.
“Shumë spitale janë bombarduar, qindra mjekë e infermierë janë vrarë ose plagosur, kështu që ajo që i ka mbetur qytetarëve të bllokuar është shumë pak”, tha Egeland.
Top Channel