Përmasat e sulmeve ndaj fëmijëve në zonat e konfliktit nëpër botë arritën nivele “tronditëse” në vitin 2017.
Në një raport të ri, UNICEF-i denoncon se ekziston një mospërfillje e përhapur dhe flagrante ndaj ligjeve ndërkombëtare që synojnë mbrojtjen e personave më të brishtë. Drejtori i UNICEF-it, Manuel Fontaine tha se fëmijët po shënjestroheshin në shtëpitë e tyre, shkolla e parqe lojrash. “Një brutalitet i tillë nuk mund të kthehet në normalitet”, ishin fjalët e tij.
Raporti përmend disa prej zonave të konfliktit ku fëmijët kanë vuajtur më së shumti gjatë vitit që po lëmë pas. Mes tyre janë Afrika Qendrore, ku fëmijët vriten, përdhunohen, rrëmbehen e rekrutohen nga grupet e armatosura; Nigeria e Kameruni, ku militantët e Boko Haramit detyruan të paktën 135 fëmijë që të ndërmerrnin sulme kamikaze, gati 5 herë më shumë se në vitin 2016; Mianmari, ku fëmijët rohingia kanë vuajtur një dhunë të paprecedentë; Sudani Jugor, Jemeni e gjithashtu Ukraina lindore, ku 220 mijë fëmijë po jetojnë nën kërcënimin konstant të minave dhe pajisjeve të pashpërthyera të luftërave.
Miliona fëmijë vuajnë nga kequshqyerja, sipas raportit, sëmundjet dhe traumat, pasi qasja ndaj ushqimit, ujit, shëndetësisë dhe higjienës pengohet nga luftimet. UNICEF-i i bën thirrje palëve të përfshira në konflikte që të respektojnë detyrimet mbi bazën e ligjit ndërkombëtar, duke i dhënë menjëherë fund sulmeve ndaj fëmijëve.
Top Channel