Bibliotekat e shkollave, MASR dhe shoqata e botueseve dhurojnë 6 mijë libra

28/12/2017 15:52

“Ibrahim Rugova”, shkolla 9-vjeçare në Kamëz, është e mbyllur për pushimet e fundvitit. Por ne kemi marrë leje në drejtorinë arsimore për të filmuar dhuratën e vitit të ri që kanë marrë nxënësit e kësaj shkolle.

Dhurata ndodhet brenda këtyre pakove, e pahapur ende, për mungesë raftesh. Është një sasi librash! Libra dhuratë ka marrë edhe shkolla e mesme “Ismail Qemali” në Tiranë. Në rang republike një dhuratë të tillë e kanë marrë 22 shkolla.

“Ishte një furnizim me libra jashtëshkollorë të bibliotekave të hkollave në 18 qytete, nga të cilat 7 shkolla të mesme dhe 15 shkolla 9-vjecare, rreth 6100 libra nga jugu në veri, nga Peshkopia në Sarandë, Himarë. është një iniciativë shumë e mirë që duhet mbështetur dhe duhet çuar më tej nga MASR dhe subjektet e tjera. Bibliotekat shkollore kanë nevojë për më shumë libra, jo për 6000 sa kemi çuar por për 600 mijë libra”, tha Petrit Ymeri, kryetari i shoqatës së botuesve.

Kjo sasi librash u bë e mundur nga shoqata e botuesve, që drejton Petrit Ymeri, në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit dhe një bankë private. Në ministrinë e Arsimit tregojnë se pse kjo nismë është shtrirë fillimisht në vetëm 22 shkolla

“Përzgjedhja e shkollave në bashkëpunim me drejtoritë rajonale duke pasur parasysh se cila është situata e bibliotekave në shkolla, u përcaktuan njëherë shkollat më prioritare . librat janë të një larmie të gjerë sipas moshës , klasave dhe sipas fushave. në përgjithësi janë libra të letërsisë, por ka edhe libra shkencorë”, u shpreh Zamira Gjini, drejtore e Arsimit parauniversitar, MASR.

Megjithëse shoqata e botuesve vlerëson këtë nismë të ministrisë së Arsimit, thotë se nevojat janë shumë herë më të mëdha dhe se kjo duhet të trajtohet nga buxheti i shtetit

“Ne kemi kërkuar që të ketë 700-800 milion të vjetra në vit për bibliotekat e shkollave”, vijoi Ymeri.

Ministria e Arsimit thotë se për furnizimin e bibliotekave me tekste jo shkollore qeveria ka plane afatgjata. “Në buxhetin e ministrisë së arsimit kemi parashikuar një zë për pajisjen e bibliotekave të shkollave me libra të shkollave 9-vjecare dhe të mesme, rreth 20 milion lekë të reja”, tha Gjini.

Por, shoqata e botuesve thotë se për furnizimin e plotë të Bibliotekave me libra duhen më shumë para. Gjithsesi ky mbetet një fillim i mirë, për të treguar se librat mund të dhurohen në çdo kohë, jo vetëm për festa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA