Bashkia e Tiranës ka përfunduar ndërtimin e skarpateve dhe pritave në gjatësinë prej 8 km përgjatë lumit të Tiranës. Ndërkohë ka nisur edhe gjelbërimi i sipërfaqes anësore. Kryetari i bashkisë, Erion Veliaj inspektoi punimet e deritanishme.
“Jo vetëm që s’patëm përmbytje në zonën e Bregut të Lumit, jo vetëm që uji nuk kaloi as brezin e parë të mbrojtjes, por jemi sot në një situatë ku po bëjmë diçka që para dy vitesh konsiderohej luks. Të ndërtonim një park buzë lumit, të mbillnim 4000 pemë, 40 mijë shkurre dekorative, të bënim pistat e vrapit te Bregu i Lumit. Për të gjitha këto, dy vite më parë dikush do na quante të çmendur. Por, me sa duket çmenduria ose mrekullia ndodhi; sot jo vetëm kemi përfunduar sistemimin e lumit, lumi është në shtrat, kanalet e ujërave të zeza shkojnë në kolektorë dhe nuk hidhen më në lumë”, tha Veliaj.
Investimet e bëra nga bashkia e Tiranës po i japin zhvillim zonës.
“Lumi ka sjellë jo shkatërrim, por civilizim; sot ta kesh shtëpinë pranë lumit të Tiranës do të thotë ta kesh shtëpinë pranë një parku, pranë pistave të biçikletave dhe korsive të vrapit. Pylli Orbital në zonën jugore, që ndjek unazën, dhe në zonën veriore, që ndjek lumin, besoj se është një ndër gjërat më të mira që kemi bërë”, u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.
Për kryetarin e bashkisë, investimet e bëra do të kenë vlerë për brezat e ardhshëm.
“Sigurisht, pemët sot janë filiza, ndoshta nuk kanë duk, ndoshta nuk do kenë duk edhe kur ta mbarojmë këtë punë, por jam i sigurt se do kenë duk për brezat e ardhshëm, kur të shohin një lum i cili është sistemuar, është në shtratin e vet, që mbron banesat, me një hapësirë argëtuese e çlodhëse; do ketë duk për një gjeneratë tjetër, pas kohës sonë, që do të kujtojë se në 2017 jo vetëm shpëtuam Tiranën nga përmbytjet dhe nga një havale e disa viteve me radhë, por i dhamë kësaj zone një nga vlerësimet më të mëdha të pronës dhe cilësisë së jetës në njësinë 11, njësinë 9, 8 dhe 4”, tha Veliaj.
Kryetari i bashksie u kërkoi qytetarëve që në këto ditë festash ku rritet konsumi të bëjnë kujdes me ambalazhet dhe mbeturinat.
Top Channel