Në një intervistë të rrallë që prej largimit nga posti në muajin janar, Barak Obama lëshoi një paralajmërim mbi përdorimin e papërgjegjshëm të medias sociale.
Veprime të tilla, sipas ish presidentit të Shteteve të Bashkuara, shtrembërojnë perceptimin e njerëzve ndaj çështjeve komplekse dhe përhapin dezinformim.
Pasardhësi i tij Donald Trump është një përdorues i ethshëm i Twitterit, megjithate Obama u kujdes të mos e përmendte në emër. Intervistuesi i ish kreut të Shtëpisë së Bardhë nuk ishte një gazetar i thjeshtë, por princi Harry, me të cilin diskutuan në programin “Today” të radio 4 të BBC-së.
“Një prej rreziqeve të internetit është se njerëzit mund të kenë realitete krejtësisht të ndryshme. Ata mund të mbështillen në informacione që ia shtojnë edhe më shumë paragjykimet. Çështja është si mund ta shfrytëzojmë këtë teknologji në një mënyrë që të lejojë një shumëllojshmëri zërash, një diversitet këndvështrimesh por që të mos çojë në një “ballkanizim” të shoqërisë e të lejojë rrugët e gjetjes së pikave të përbashkëta”, tha Obama.
Trump akuzohet për një përdorim të tepruar të Twitterit, edhe pse republikani këmbëngul se kjo i lejon atij lidhjen e drejtpërdrejtë me popullin amerikan.
Top Channel