“Nisma e deputetëve për Gjykatën Speciale nuk është një kërkesë për të sfiduar gjykatën, por është alternativë si ajo që kanë edhe vendet e tjera të ish-Jugosllavisë: Kroacia, Bosnja dhe Serbia”.
Kështu deklaroi Presidenti kosovar Hashim Thaçi në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”.
“Iniciativa e rreth 50 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet të kuptohet si një alternativë dhe jo si një sfidim i drejtësisë, jo si injorim apo ikje nga drejtësia. Ata janë njerëzit e zgjedhur nga populli. I japin llogari zgjedhësve të vet dhe nuk i japin llogari as Presidentit dhe as ndonjë mekanizmi tjetër institucional”, u shpreh Thaçi.
Ndërsa pohoi se nuk i inkurajojnë deputetët të mbështesin shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ai u kujdes të theksonte se, nëse Kuvendi e aprovon atë, do ta nënshkruante si President. Duke iu përgjigjur pyetjes lidhur me deklaratat e forta të ambasadorëve të huaj në vend, Thaçi u shpreh se çdo hap ligjor i ndërmarrë nga të zgjedhurit e popullit, duhet analizuar në rrafshin shumëdimensional dhe në asnjë rrethanë në atë konfrontues.
Thaçi përsërit se Gjykata Speciale është një padrejtësi historike. Në intervistë, Presidenti kosovar u bën thirrje deputetëve që të ratifikojnë demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe ta evitojnë izolimin e mëtejshëm të Kosovës.
Ndërkaq, në lidhje me dialogun me Serbinë, Thaçi shprehet se është i gatshëm të kryesojë edhe fazën finale deri në njohjen reciproke mes dy vendeve.
Top Channel