Gjelat “firmato” të Baldushkut kanë detyruar amvisat e kryeqytetit të shkojnë e t’i zgjedhin vetë ato në treg, për t’u siguruar që në tryezën e Vitit të Ri të kenë këto gjela.

“Kemi dëgjuar shumë për gjelat e Baldushkut që janë shumë të mirë dhe erdhëm të blejmë”, shprehet një blerëse.

“Deri sa janë të kontrolluar është mirë që të blejmë këtu, edhe çmimi është i arsyeshëm”, thotë një qytetare.

Edhe banorët e zonës që i tregtojnë gjelat dhe pulat e detit krenohen kur tregojnë arsyet pse produkti i tyre duhet të mos mungojë në tryezën e Vitit të Ri. Ata thonë se edhe çmimi është i arsyeshëm dhe të gjithë mbajnë të njëjtin çmim në këtë treg.

“Po 7 mijë lekë gjeli dhe 8 mijë pula për kilogramë. Pula është pak më e shtrenjtë se është më e mirë. Ne i rrisim me mund, me misër, i kullosim, nuk i ushqejmë me koncentrat si ata të pularisë”, thotë një banor i zonës.

Tregtarët thonë se ka shumë qytetarë, të cilët kanë rendur në këto ditë festash për të blerë, por fluks më të madh pritet të ketë të premte dhe të shtunë, kur afron dhe nata e Vitit të Ri. Një vit më parë në këtë treg për festa u shitën mbi 38 mijë gjela deti, një pasuri e vërtetë për banorët e zonës, të cilët gjithë vitin punojnë për të siguruar jetesën nga shpendi simbol i festës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA