Presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, si dhe kreu i opozitës, Lulzim Basha kanë zgjedhur profilet e tyre në Facebook për të uruar Krishtlindjen.
I pari që uron është kreu i opozitës. “Nga zemra ju uroj të gjithë besimtarëve të krishterë dhe të gjithë shërbëtorëve të Zotit në kishat, katedralet, dhe manastiret e dioqezave shqiptare, në vendlindje dhe diasporë, Krishtlindje të Gëzuar dhe të Bekuar! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë!”, shkruan Basha.
Një mesazhi më i gjatë ka ardhur nga Presidenti Meta, i cili urimin e tij e ka shoqëruar edhe me një apel që në këtë ditë të shenjtë të mos harrohen njerëzit në nevojë.
“Të dashur miq. Në këtë Ditë të Bekuar, unë dhe familja ime duam t’ju shprehim urimet më të mira e të përzemërta, të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë: Gëzuar Krishtlindjen! Kjo festë e bukur e Krishtërimit, që mishëron vlera hyjnore dhe njerëzore, uroj të sjellë më shumë shpresë, lumturi e qetësi, dashuri e besim, harmoni e mirëkuptim dhe të forcojë më tej paqen në familje e në shoqëri, mes njerëzve e mes popujve, të sjellë begati sociale dhe përparim të njerëzimit.Të përpiqemi në këtë ditë të shenjtë të mos harrojmë të vetmuarit, njerëzit në nevojë dhe të sëmurët për t’u dhënë shpresë dhe besim. Gëzuar nga mot Krishtlindjen!”, shkruan Meta, postim të cilin e ka shoqëruar me një foto familjare.
Urimeve u është bashkuar edhe kryeministri Edi Rama, i cili teksa ka publikuar një video nga Tirana në këto ditë festash. shkruan “Mirëmëngjes dhe Krishtlindje të gëzuar”.
Urimeve për Krishtlindje u është bashkuar edhe kryebashkiaku Veliaj, i cili shkruan: ” Gëzuar Krishtlindjen Në këto ditë festash në çdo cep të qytetit ka energji pozitive! Shumë i lumtur që edhe për fëmijët nga familje në nevojë dhjetori ishte muaji më i madh i solidaritetit në Tiranë! Motiv që në 2018ën të bëjmë akoma më shumë!”
Top Channel