Përmbytjet në fillim të dhjetorit sollën dëme të mëdha edhe në fruti–kulturë. Në Njësinë Administrative Frakull banorët të cilët u bënë të famshëm nga kultivimi i luleshtrydhes tashmë janë drejt falimentimit. Serrat e shkatërruara totalisht dhe luleshtrydhe të kalbura është panorama që gjejmë në fshatrat Kashisht dhe Kafaraj të Bashkisë Fier.
Edhe pse kanë kaluar më tepër se 2 javë askush nuk është paraqitur tek ata për të mbajtur një procesverbal e për të evidentuar dëmet në të mbjella. “Këtu dëmi është kolosal. I gjithë prodhimi që lidhi dhe zhvilloi luleshtrydhja është kalbur komplet, më kanë ikur rreth 20 mln lekë të vjetra. Tani do presim që pas dy muaj të lidhë lule sërish”, shprehet një prej fermerëve, ndërsa kërkon ndihmën e shtetit.
Edhe pse të rrënuar disa prej fermerëve vazhdojnë të pastrojnë serrat duke u munduar të shpëtojnë ato pak bimë që kanë mbetur. Të zhgënjyer banorët e fshatit Kashisht shprehen se para përmbytjes erdhi kryetari i Bashkisë Fier për të paralajmëruar për daljen e lumit Vjosë, por pas përmbytjes askush nuk është interesuar për ta. Të irrituar banorët shprehen para kamerave se janë harruar nga shteti edhe pse për vite i kanë paguar çdo detyrim shtetit. “Turpin ta mbajnë ata! Ne jemi të ndershëm do punojnë e do e përballemi me gjithçka”, pohon një tjetër fermer.
Edhe më e rëndë është gjendja e fermerëve në fshatin Kafaraj. “Këtu nuk ka ardhur njeri të shikojë. Janë 100 hektarë luleshtrydhe në këtë fshat. Ndihmat shkojnë në Frakull të Madhe jo tek ne në Kafaraj. Mua më sollën një thes miell po ç’e dua unë miellin?! Unë dua të më përgjigjet shteti për dëmin në serra, ” shprehet një prej fermerëve, ndërsa thekson se në 2015 ka marrë vetëm 600 mijë lekë të vjetra dëmshpërblim, kur në të vërtetë dëmi ishte disa herë më i lartë.
Gazetarët e Fiks Fare i drejtohen Njësisë Administrative Frakull, por në godinë nuk gjejnë asnjë person. Ndërsa dera e godinës është e hapur dhe mund të lëvizësh lirisht në të. Pas rreth 30 minuta pritje në godinë shfaqet kryetari i njësisë z. Dashnor Troka. Meqenëse vetë është fermer, ai shprehet se e di mirë sa dëm i madh u është shkaktuar fermerëve të zonës, por nuk mund të thotë nëse për ta do të ketë dëmshpërblim apo jo.
“Jemi interesuar në Bashkinë Fier se çfarë do të bëhet për verifikimin e dëmeve, por ligji për emergjencat civile është shprehur qartë se në rast se nuk shpallet gjendja e jashtëzakonshme nuk mund të bëhen vlerësimet për dëmet në bujqësi, përveçse të specifikohen dëmet në banesa” pohon Troka.
Për 2015 vlerësimet kanë qenë me 30% të vlerës së dëmeve. Gjithsecili prej tyre ka marrë nga 1.400 milion lekë të vjetra, shprehet kryetari i Njësisë Frakull.
Top Channel