Femen në Vatikan, tentohet vjedhja e fëmijës Jezu

25/12/2017 22:27

Femen godet sërish në Vatikan, për Krishtlindje. Tre vite pas tentativës së parë, një tjetër aktiviste e lëvizjes, topless, është arrestuar dhe larguar duke u mbështjellë me një xhup, pasi kishte tentuar të vidhte statujën e fëmijës Jezu nga prezepi i sheshit “Shën Pjetri” në Romë.

Para bekimit ‘Urbi et Orbi’ të Papa Franceskut, aktivistja kishte mundur të kapërcente rrethimin e sigurisë, duke thirrur, zoti është grua. Një xhandar i Vatikanit sidoqoftë kishte mundur ta ndalonte dhe aktivistja më pas u largua me pranga në duar. Incidenti ndodhi rreth 2 orë para se Papa Francesku të shpërndante mesazhin e tij të Krishtlindjes, për rreth 50 mijë personat e mbledhur në shesh. 

Sajti i lëvizjes në internet e ka identifikuar aktivisten tashmë të arrestuar si Alisa Vinogradova. Objektiv i grupit, të themeluar në Ukrainë, është fitorja e plotë mbi patriarkatin. Femen kishte goditur edhe gjatë meshës së mesnatës, me një aksion, po topless, në sheshin “Shën Pjetri”. 

Tre vite më parë, në Krishtlindjen e 2014-ës, u përsërit e njëjta skenë. Një aktiviste e Femen, kishte tentuar të rrëmbente fëmijën Jezu, por u ndalua në kohë. E akuzuar për akte të padenja në një vend publik dhe për tentativë vjedhjeje, asaj iu ndalua të shkelte sërish në Vatikan.  

Po të njëjtin vit, tre anëtare të tjera të grupit kishin kryer akte të ngjashme në sheshin ikonik. Në mars të 2013-ës, kur kardinalët u mblodhën për të zgjedhur Papën e ri, dy aktiviste të Femen u zhveshën për të treguar shkrimin në gjokset e tyre, ‘Jo më Papë’.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA